Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në një drekë pune, Presidenten e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, me ç‘rast kanë folur për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë.
Presidenca njofton se Osmani duke folur për marrëdhëniet bilaterale me Slloveninë, ka potencuar se Sllovenia është një nga aleatët dhe miqtë më të ngushtë të Kosovës, mbështetja e vazhdueshme e së cilës ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
Osmani e ka njoftuar Presidenten Musar për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, përkushtimin e palëkundur të Kosovës për integrimin euroatlantik, si dhe për thellim të vazhdueshëm të raporteve me Slloveninë.
Me këtë rast, Presidentja Osmani ka shprehur po ashtu mirënjohjen e thellë në emër të qytetarëve të Kosovës për trupat sllovene që shërbejnë në kuadër të KFOR-it, e të cilët Presidentja Musar i ka vizituar mbrëmë me rastin e festave të fund vitit.