Krasniqi ka përmendur takimet e shumta me institucionet, organizimin e “Kafes së mëngjesit” me shumë komuna e biznese, takime me organizata të ndryshme shtetërore vendore dhe të huaja, më qëllim të zgjidhjes dhe avancimit të ligjeve, për një klimë më të mirë për të bërë biznes.

Ai përmendi kërkesa kryesore të Dhomës për vitin që po vjen.

“Përkrahja me 10% e prodhimeve vendore në blerje në markete; Përkrahje me 10% në eksport për prodhimet tona; Përmirësimi i politikave fiskale si pagesa e TVSH-së në inkasim dhe brenda vendit e jo në Doganë; Krijimi i produkteve strategjike në bujqësi dhe riorientimi i granteve dhe subvencioneve; Krijimi i një strategjie reale të zhvillimit ekonomik, e cila i mungon Qeverisë në orientimin e investimit të bizneseve e shumë e shumë të tjera; Ndryshimin e Ligjit për Tregti të Brendshme dhe Ligjin e punës; Ndryshimin e Ligjit mbi Prona që i ka mbyllë me dhjetëra biznese dhe duke i lënë në rrugë qindra punëtorë. Nga ajo që kemi parë është se ne dhe vetëm ne jemi zgjidhja e problemeve të mëdha të shkaktuara nga ligjet e ndryshme të marra nga vendet e ndryshme pa i analizuar me gjendjen tonë. Ne si biznese jemi duke vazhduar të përballemi edhe me shumë sfida si; Mungesën e punëtorëve dhe mungesën e kualifikuar të punëtorëve. Për këtë, rritja e jonë si numër, rritja e buxhetit tonë të përbashkët, rritja e kontributit tonë, është zgjidhja e vetme e tejkalimit të këtyre sfidave. Sukseset pra nuk ndodhin rastësisht. Nuk kanë ndodhë në biznese tona as nuk do të ndodhin në shtet. Të gjitha këto mund të realizohen me bashkëpunimin tonë më të madh”, ka theksuar Krasniqi, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Zef Dedaj nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) ka përmendur bashkëpunimin shumë-vjeçar me DhTIK-në nga e cila shumë biznese kanë përfituar në grante dhe pjesëmarrje në shumë panaire.

Ai ka thënë se bashkëpunimi i dyanshëm, ka sjellë edhe nevojën për rritjen e buxheti, që për vitin e ardhshëm do të jetë më i madh.

Gjithashtu, ka përmendur edhe marrëveshjen e fundit mes KIESA-s dhe DhTIK-së për organizimin e një sesioni informues për bizneset rreth mënyrës së aplikimit për grante e pjesëmarrje në panaire.

Në njoftim theksohet se kryetari i Kuvendit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Hamdi Malushaj, ka ftuar bizneset për vazhdim të bashkëpunimit, derisa i ka bërë thirrje institucioneve që të punojnë në ndryshimin e ligjeve që janë nevojë e bizneseve, duke nisur nga Ligji i Punës, i cili po vazhdon tu sjellë dëme bizneseve.

Nga ana tjetër, koordinatori i Dhomës, Kushtrim Ahmeti, ka ndarë me të pranishmit aktivitetet kryesore gjatë këtij viti, nga të cilat falë angazhimit, kanë arritur të zgjidhen numër i madh i problemeve.

Ai ka përmendur edhe projektet me partnerët rajonal e ndërkombëtar, si dhe memorandumet që janë nënshkruar dhe që planifikohen të nënshkruhen vitin e ardhshëm, nga të cilat do të përfitojnë si bizneset ashtu edhe ekonomia e vendit.