Mesazhi i Ipeshkvit të Kosovës, imzot Dodë Gjergji për Krishtlindje ishte toleranca, dashuria e respekti ndaj njëri tjetrit duke lënë mënjanë urrejtjen politike, fetare dhe etnike.
Në meshën kryesore për Krishtlindje në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, imzot Dodë Gjergji theksoi rëndësinë e dashurisë për çdo njeri dhe çdo krijesë.
Ai shprehu shqetësimin për luftërat dhe dhimbjet që ato shkaktojnë, duke theksuar se humbja e jetëve njerëzore shpesh konsiderohet vetëm si një numër.
“Sa luftërat e pakuptimta nëpër botë janë duke ndodhur sot, sa rrënimet e panevojshme gjithandej ku ka luftëra dhe sa dëme anësore përjetojnë të gjithë ata që e duan lirinë. Dhe sa jetë njerëzish humbin në gjithë vendin, Gjëja më e trishtueshme e kësaj urrejtje është se humbja e jetëve njerëzore nuk vlerësohet fare, thjesht llogaritet me numrin”, theksoi Dodë Gjergji.
Në meshë morën pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku dhe Rozeta Hajdari.