Me një seancë gjyqësore për krime lufte, nisi punën institucioni i drejtësisë në vend. Në Gjykatën Themelore në Prishtinë doli para trupit gjykues Millorad Gjokoviq, i akuzuar për krime lufte në Ozdrim të Pejës, ku u vranë 14 civilë shqiptarë. Mbrojtja e të akuzuarit tha se nuk ka asnjë provë material që e vërteton lidhjen e të pandehurit me akuzën, derisa e quajti aktakuzën me të dhëna të fabrikuara.

Pas pothuajse dy vitesh në proces gjyqësor, gjykata shpalli fajtor ish-ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, duke e dënuar me 3 vjet e 8 muaj burgim dhe me dënim plotësues prej 3 vjet e 6 muaj ndalim të ushtrimit të funksionit në Administratë Publike. Lekaj së bashku me disa vartës të tij u dënuan për ekzekutimin e 53 milionë eurove për kompaninë ‘Bechtel & Enka’, e cila ishte kontraktuar për ta ndërtuar autostradën ‘Arbën Xhaferi’. Sipas aktakuzës, Lekaj, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, me dashje i kishin tejkaluar kompetencat e tyre dhe nuk i kishin përmbushur detyrat zyrtare më datë 29 shtator të vitit 2017.

Në shkurt, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli fajtor një të akuzuar pikërisht për krime lufte. Dushko Arsiq u dënua me 13 vjet heqje lirie për një vrasje në Butovc të Prishtinës, si dhe për keqtrajtim të një personi tjetër. Ai akuzohej se me në bashkërendim me disa persona kanë marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen e qytetarëve nga Prishtina dhe rrethina, si dhe kanë plaçkitur prona të shqiptarëve dhe në fund ua kanë vënë zjarrin.

Pas dy javësh, Gjykata Themelore shpalli aktgjykimin për Arsim Limanin, i cili dyshohet se me dashje shkaktoi rrezik, duke ia vënë zjarrin garazhit afër shtëpisë së gazetarit të Radiotelevizionit të Kosovës, Alban Selimi. Ai u dënua me 4 vjet burg për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Pas 8 vitesh proces gjyqësor, në fund të muajit shkurt, Gjykata Themelore në Prishtinë liroi nga akuzat kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm. Ai akuzohej se më 10 gusht të vitit 2016, në cilësinë e deputetit kishte hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit.

Në prill, Prokuroria Speciale për më shumë se tre orë intervistoi ministren e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdarin, në lidhje me rezervat shtetërore. Por sapo doli nga objekti, ajo tha se nuk është intervistuar por ishte aty për sqarime për legjislacionin në fuqi për rezervat shtetërore dhe disa ligje të tjera. Ndërkohë, nga Prokuroria thanë se Hajdari u paraqit në këtë institucion në cilësinë e të pandehurës, me arsyetimin se ka keqpërdor pozitën zyrtare për rezervat shtetërore.

Më 18 maj të 2024-s, Policia e Kosovës njoftoi se Enver Sekiraqa është arratisur nga shtëpia e tij. Sekiraqa, i cili ishte i dënuar me 25 vjet burgim për nxitjen e vrasjes së policit Triumf Riza, sipas policisë, nuk i ishte përgjigjur thirrjes që të paraqitej në organet e rendit. Për arratisjen e tij kishte reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sipas të cilës, ka qasje joprofesionale të gjyqtarëve në vend. Për këtë kishte reaguar edhe kryeministri Kurti.

Në fund të majit, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, dënoi me nga 9 dhe 10 vjet burgim dy të mitur për rrahjen brutale dhe më pas vdekjen e të riut Lulzim Fejzullahu nga Podujeva. Me vendimin nuk ishin të kënaqur familja dhe avokati i familjes Fejzullahu, të cilët paralajmëruan se do ta apelojnë atë.

Për të nëntën herë, Faton Hajrizi u arratis nga burgu. Hajrizi, i cili po vuante dënimin në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë, ishte arratisur pasi kishte shfrytëzuar të drejtën e vikendit. Ai ishte arrestuar pasi kishte vrarë një ushtar rus në Skenderaj. Pas disa ditësh kërkim, trupi i pajetë i Faton Hajrizit u gjet më 19 korrik në Lloznicë të Serbisë. Një ditë më herët, ai dyshohej se kishte vrarë një polic serb dhe kishte plagosur një tjetër. U desh një muaj që trupi i tij të kthehet në vendlindje për ceremoninë e varrimit.

Me institucionet e drejtësisë i doli punë edhe shefes së këtij dikasteri. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në fund të muajit korrik u intervistua nga prokuroria speciale për dy deklarata që kishte bërë për përpjekjet e prokurorëve dhe të gjyqtarëve për takime e favore dhe për arratisjet nga burgjet e shtetit, për të cilat tha se janë lehtësuar dhe mundësuar nga shteti serb. Pas intervistimit që i zgjati dy ditë, ajo tha se dikujt po i pengon çka po thotë dhe se prokuroria speciale po e pengon në punën e saj.

Pas dëgjimit të dëshmive nga të gjitha palët, Gjykata Themelore në Ferizaj dënoi me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasjen e Marigona Osmanit në gusht të 2021-s, derisa Arbër Sejdiu u dënua me 15 vjet burgim, me akuzën për vrasje të rëndë dhe ndihmë në vrasje. Por, të kënaqur pjesërisht me vendimin e gjykatës u ndanë familjarët e së ndjerës, Marigonës. Sipas tyre, do të ishte mirë që edhe Arbër Sejdiu të dënohej me burgim të përjetshëm.

Për disa deklarata të bëra gjatë një konference për media, për vdekjen e aktivistit të Vetëvendosjes Astrit Dehari, Sami Kurteshi i kësaj partie është intervistuar nga Prokuroria Speciale si dëshmitar. Pas intervistimit, Kurteshi ka thënë se qëndron prapa çdo deklarate që ka bërë, duke iu referuar asaj se vrasja e Deharit ka ardhur me urdhër nga lart.

Rreth një vit pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave, në mesin e tyre edhe për Milan Radojiçiq. Prokuroria njoftoi se ngritja e aktakuzës u vonua për shkak se ishin në pritje të rezultatit të disa ekzaminimeve që ishin bërë jashtë vendit.

Për gati 4 orë, koordinatorja e komuniteteve në Vetëvendosje, Dejona Mihalli, u intervistua nga Prokuroria Speciale në Kosovë, në cilësinë e dëshmitares për disa çështje penale që kjo prokurori i ka nën hetim. Për intervistën, pavarësisht interesimit të madh, Mihalli nuk kishte treguar më hollësisht se për çfarë lënde ishte intervistuar.

Keqpërdorimi i rezerva shtetërore, bëri që Prokuroria Speciale të intervistojë Ridvan Muharremin në fillim të tetorit. Ndonëse Muharremi nuk u deklarua se për çfarë u mor në pyetje për më shumë se një orë nga ky institucion, nga Prokuroria njoftuan se ai u intervistua në cilësinë e dëshmitarit. Ndërkohë, në një lokal dhe në banesën e Muharremit ishte kryer një operacion bastisjeje në gusht të 2023-s.

Në tetor u mbajt seanca e parë përgatitore për të akuzuarit për rastin Banjska. Të pranishëm në sallë ishin vetëm 3 nga 45 persona, ndaj të cilëve rëndon akuza për sulm të mirëorganizuar, plagosje e deri te vrasja e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Por, para trupit gjykues, të akuzuarit që ndodhen në paraburgim nuk e pranuan fajësinë. Ndërkohë, avokati i familjes Bunjaku tha se presin dënim të të gjithë të akuzuarve, pasi sipas tij, ekzistojnë prova të parezistueshme për veprën penale.

Ish-kryeshefi i KEK, Nagip Krasniqi, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës në dëm të KEK-ut, doli para Gjykatës Themelore në Prishtinë, në seancë të cilën u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës që i ngarkohen. Prokuroria kishte njoftuar se kishte dorëzuar prova të reja që nuk ishin përfshirë në aktakuzë, derisa mbrojtja e të akuzuarit tha se Prokuroria nuk ia ka dorëzuar aktvendimin për fillimin e hetimeve. Krasniqi akuzohet se ka dëmtuar KEK-un me më shumë se 3 milionë euro.

Edhe një ministër tjetër i Qeverisë u intervistua në nëntor nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Për katër orë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, iu përgjigj pyetjeve të Prokurorisë në cilësinë e dëshmitares. Ajo pas intervistimit nuk dha detaje se për çfarë rasti është intervistuar.

Pas disa ministrave, radha për të dhënë intervistë në Prokurorinë Speciale të Kosovës i erdhi kryeministrit Albin Kurti. Shefi i ekzekutivit, që u ftua në cilësinë e dëshmitarit për rastin e rezervave shtetërore, nuk iu përgjigj pozitivisht ftesës për intervistim. Ai u arsyetua se ishte në udhëtim zyrtar jashtë vendit dhe se e kishte të pamundur të kryente obligimin për intervistim. Por kur u kthye, Kurti shprehu një kërkesë për prokurorinë. Ai u shpreh i gatshëm që të jepte intervistën, por në zyrën e tij. Kurti i kishte ofruar Prokurorisë disa orare të mundshme për intervistim, por pa përgjigje nga ana e prokurorisë.

Një vit pas themelimit, Instituti për Krime të luftës prezantoi raportin e punës njëvjeçare. Sipas kryeministrit Kurti, gjatë një viti janë grumbulluar rreth 190 metra gjatësi të materialit arkivor dhe 15 terrabait të të dhënave digjitale, duke përfshirë video, audio dhe foto që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës. Nga udhëheqësit e shtetit, ky institucion është vlerësuar si një ndër projektet më të rëndësishme për evidentimin e dëmeve gjatë luftës së fundit në Kosovë.