Një person është plagosur nga arma e zjarrit në rrugën “Mine Peza” në Prishtinë.
Rastin për RTKlive e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Ai tha se i plagosuri është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor.
“Rreth orës 19:00, është raportuar për shkrepje të armës së zjarrit në rrugën ‘Mine Peza’ në Prishtinë. Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se një person është plagosur nga arma e zjarrit dhe se i njëjti është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, ka thënë Borovci.
Ai ka bërë të ditur se policia ka identifikuar një të dyshuar të përfshirë në rastin në fjalë, e po ashtu edhe dy vetura.
“Policia po vazhdon punën operativo-hetimore si dhe të ekzaminimit të vendngjarjes me qellim sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, ka shtuar Borovci.