Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar ndaj mungesës së transparencës dhe llogaridhënies së Gjykatës Speciale, duke theksuar se kjo gjykatë nuk i përgjigjet institucioneve të Kosovës.
KMDLNJ, thekson se trajtimi i të burgosurve është diskriminues, derisa kërkon nga Kuvendi i Kosovës amandamentimin e Ligjit për Gjykatën Speciale për të siguruar një mekanizëm monitorimi efektiv, e jo të mbeten vetëm siç i quan ”deklarata mashtruese”.
”KMDLNj vazhdimisht ka këmbëngulur që Kuvendi i Kosovës, si themelues të mbajë një apo më shumë seanca ku do të kërkohej transparencë dhe llogaridhënie për trajtimin e pengjeve të Hagës e që në asnjë mënyrë nuk do të merrej si ndërhyrje në punën e kësaj Gjykate. Deputetët e Kuvendit të Kosovës të ndarë në baza partiake dhe politike nuk e kanë bërë as përpjekjen më të vogël të luajnë rolin e të zgjedhurit të popullit dhe përmbushjen e mandatit detyrues për përfaqësim dhe mbrojtje të drejtave të njeriut përkatësisht të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria. KNKK nga Gjeneva nuk ka kohë të takojë të burgosurit dhe të dëgjojë shqetësimet e arsyeshme kurse Avokati i Popullit i Holandës nuk merret fare me këtë çështje dhe nuk i njehë autoritetet kosovare”, thuhet në reagim.
Sipas reagimit, ‘pengjet në Hagë janë vizituar nga deputetë të Kuvendit, nga Komisioni për të drejtat e njeriut i Kuvendit të, nga ministra, z.kryeministra dhe nga Kryetari i Kuvendit. Presidentja dhe Kryeministri i Kosovës nuk e kanë treguar as interesimin më të vogël për t’i vizituar që, sipas KMDLNj-së është qasje diskriminuese’.
“Edhe vizitat janë bërë selektive, për turizëm, për selfie dhe për përfitime politike dhe materiale. Sidomos materiale shkaku se përveç rrogës së majme, kanë marrë edhe mëditje për këto vizita. Më parë kryetari i Kuvendit kishte kërkuar një Mekanizëm monitorues dhe kjo ishte e tëra që e bëri. Ishte mashtrim ordiner. Një muaj para zgjedhjeve parlamentare dhe para përfundimit të mandatit, ministrja e Drejtësisë kërkoi të formohet një Mekanizëm vendor a ndërkombëtar për monitorim ndonëse nuk ka lënë gurë pa lëvizur t’ua bëjë jetën sa më të rëndë dhe t’ua pakësojë mundësitë për një mbrojtje efektive. KMDLNj thekson se këto janë deklarata mashtruese, për përdorim të brendshëm, për përfitime politike dhe blerje të votave”, thekson KMDLNJ.
KMDLNj ia përkujton opinionit se asnjë vizitë nga Kosova pavarësisht cilit institucion i përkasin nuk llogaritet si vizitë zyrtare por si vizitë private apo familjare që tregon qartë shpërfilljen që ua bënë Gjykata edhe përfaqësuesve më të lartë institucional.
KMDLNj shpreson se përbërja e ardhshme e Kuvendit të Kosovës do të jetë më e përgjegjshme, profesionalisht dhe institucionalisht duke amandamentuar Ligjin për Gjykatën Speciale duke kërkuar transparencë, llogaridhënie dhe afatizim të punës ose, që do të konsiderohej e përgjegjshme dhe minimalisht e ndershme të deklarojë botërisht se kjo Gjykatë nuk është, me asgjë e Kosovës.