Me mbështetjen e Komunës së Shtimes, ky turnir ka arritur të marrë vëmendje të gjerë në mbarë vendin, duke u bërë simbol i përkujtimit dhe solidaritetit.

Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, vlerësoi përkushtimin e organizatorëve dhe shprehu krenarinë për përkrahjen që komuna ka ofruar. “Kemi nderin të qëndrojmë pranë të rinjve që me përkushtimin e tyre promovojnë kujtesën historike kombëtare,” tha Aliu, duke bërë të ditur se 35 ekipe nga e gjithë Kosova janë bërë pjesë e turnirit, duke treguar interes të madh për këtë iniciativë unike.

Ndeshjet, të cilat zhvillohen në Palestrën e Sporteve në Shtime çdo fundjavë, janë bërë një arenë ku emocionet dhe përkushtimi sportiv bashkohen me nderimin për historinë. Deri më tani, janë zhvilluar 13 ndeshje, ndërsa 17 ekipe janë ende në garë për finalen e madhe që do të mbahet më 15 janar 2025, në ora 15:00.

“Tri vendet e para do të shpërblehen me kupa dhe medalje, ndërsa lojtari më i mirë, portieri më i mirë dhe golashënuesi më i mirë do të marrin mirënjohje për arritjet e tyre. Turniri Memorial “Ditët e Reçakut” është dëshmi se përmes aktiviteteve të tilla, kujtesa historike kombëtare mund të ruhet dhe të përcillet te brezat e rinj, ndërsa fuqizohen lidhjet ndërmjet të rinjve përmes sportit”, njofton Komuna e Shtimes.