Sipas Vetëvendosjes, premtimet e kryetarit të kryeqytetit, Përparim Rama, po mbesin të parealizueshme.

“Mbi dy vjet kanë kaluar që kryetari Rama e ka mbyllë rrugën ‘Xhorxh Bush’ dhe në këtë mënyrë e ka shkaktuar një kaos në trafik, por njëkohësisht nuk e ka bërë sheshin. Përkundër, premtimeve të tij, rruga ‘Xhorxh Bush’ as nuk u bë shesh, as nuk është e kalueshme. Premtimet e tij po mbesin boshe, e të parealizuara. Është edhe rruga ‘Agim Ramadani që ai ka premtuar një tunel dhe as atë nuk e ka realizuar, për shkak se edhe organet përgjegjëse kanë konsideruar që është rrezik për shkak të objekteve të kultit”, ka theksuar Besart Krasniqi, asamblist i LVV-së në Prishtinë.

Nga PDK në Prishtinë thonë se nuk presin që këto dy projekte as të nisin e as të përfundojnë këtë vit.

“Nënkalimi në rrugën ‘Agim Ramadani’ dhe sheshi ‘Xhorxh Bush’, padyshim janë dy prej projekteve të rëndësishmë për qytetin, sidomos nënkalimi sepse është paraparë që të bëhet një lirim shumë i madh i trafikut në kryeqytet. Fatkeqësisht qeverisja aktuale dhe kryetari Rama këtë projekt e kanë filluar pa asnjë studim fizibiliteti, pa asnjë analizë paraprake, sepse aty është hapësirë e cila është e mbrojtur nga institucionet të cilat merren me trashëgimi kulturore”, tha Granit Geci, asamblist i PDK-së në Prishtinë.

Megjithatë, nga komuna thanë se kanë për synim realizimin e këtyre dy projekteve të rëndësishme, “E kemi përgatit gjithë projektin, e kemi prokuruar, por ka mbetur si pasojë e një vendimi të MKRS-së, respektivisht institucioneve vartëse të saj, që është refuzuar pjesërisht çështja e nënkalimit ‘Agim Ramadani’ dhe kësisoj ka mbetur pezull dhe do të shihet në të ardhmen që të koordinohemi edhe në kuptimin ndërinstitucional. Sheshi ‘Xhorxh Bush’ po ashtu ka pasur një pezullim në fazën e ofertimit nga OSHP dhe po presim do të debllokohet dhe pastaj të vazhdohet me projektin tutje”, tha Donat Lushaku, zëdhënës i Komunës së Prishtinës.

Nga kjo komunë thanë se përveç këtyre dy projekteve në fokus kanë edhe projekte të tjera të rëndësishme për banorët e kryeqytetit.