Banka e Shqipërisë ka prezantuar Strategjinë Afatmesme të Zhvillimit 2025–2027, e cila synon forcimin e stabilitetit financiar, modernizimin teknologjik dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian.

 

Dokumenti, paraqet masa konkrete për adresimin e sfidave ekonomike dhe rritjen e efektivitetit institucional.

Prioritetet kryesore në këtë strategji përfshijnë përmirësimin e politikës monetare përmes modeleve të avancuara makroekonomike dhe diversifikimit të instrumenteve; stabilitetin financiar dhe mbrojtjen nga rreziqet kibernetike përmes standardeve ndërkombëtare si ISO 27002 dhe implementimit të Bazel III; modernizimin e sistemit të pagesave, duke prezantuar pagesat në kohë reale dhe integrimin në sistemin TIPS; si dhe edukimin financiar, për të rritur ndërgjegjësimin mbi politikat monetare të vendit.

Pjesë e rëndësishme e kësaj strategjie është edhe objektivi i Bankës së Shqipërisë për intensifikimin e dialogut me institucionet evropiane dhe qeverinë shqiptare për të mbështetur reformat strukturore dhe zhvillimin e tregjeve financiare.

Për të përforcuar besimin ndaj publikut, Banka e Shqipërisë planifikon të përfshijë mjete të reja komunikimi, si dhe publikime më të qarta mbi politikën monetare dhe stabilitetin financiar.