Këshilli i Prindërve të Kosovës (KPK) ka reaguar ashpër ndaj raporteve për keqpërdorimin e këshillave të nxënësve në disa shkolla për qëllime elektorale, pas ankesave të pranuara nga disa Këshilla Komunal të Prindërve.
“Këshilli i Prindërve të Kosovës reagon dhe shpreh shqetësimin lidhur me keqpërdorimin e grupeve të këshillave të nxënësve, të cilat janë të krijuara si trupa të pavarur për të kontribuar për përmirësimin dhe mbrojtjen e të drejtave të nxënësve dhe kushteve të tyre të mësim-nxënies dhe jo për qëllime politiko-partiake,” thuhet në reagimin e KPK-së.
KPK ka dënuar ashpër çdo keqpërdorim të tillë dhe ka bërë thirrje që këto grupe të përdoren vetëm për qëllimin për të cilin janë themeluar.
“Bëjmë thirrje Këshillave të Prindërve dhe Këshillave të Nxënësve që t’i kryejnë detyrat e tyre konform qëllimit për të cilin janë themeluar dhe të mos bien pre e agjendave partiake.”
Gjithashtu, KPK u ka bërë thirrje partive politike të qëndrojnë larg shkollave dhe nxënësve, duke theksuar: “Të gjitha partitë politike duhet të rrinë larg shkollave dhe nxënësve tanë. Mos i përdorni fëmijët për agjenda partiake.”
KPK ka kërkuar nga Këshillat Komunal të Prindërve të jenë vigjilentë gjatë fushatës zgjedhore, të ruajnë pavarësinë dhe paanshmërinë e tyre dhe të raportojnë çdo rast të keqpërdorimit të nxënësve për qëllime elektorale.