Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar fushatën zgjedhore në Pejë, ku në mbrëmje ka mbajtur një tubim me qytetarët e qytetit. Kandidati për kryeministër nga VV, Albin Kurti, i ka falënderuar qytetarët për mikpritjen e ngrohtë dhe ka theksuar se fitorja e Vetëvendosjes është e pakthyeshme.
“E dashura Pejë, kjo mikpritje kaq e zjarrtë, ma mbush zemrën me gëzim e mendjen me përgjegjësi. Peja jonë e Peja juaj e bukur është qytet i bjeshkëve e i lumit, i zejeve e i artit, është qytet ku prehen eshtrat e Haxhi Zekës e të Ali Pashë Gucisë, është qytet i zemrës, i besës dhe i shqiponjave”, tha Kurti.
Ai theksoi se fitorja e Vetëvendosjes, së bashku me koalicionin, është e pakundërshtueshme.
“Fitoren e Vetëvendosjes nuk ka fuqi që mund ta ndalë. Fitoren e Vetëvendosjes dhe të koalicionit tonë nuk mund ta ndalim as ne vetë, sepse populli ka vendosur, e po vendos vetë”, shtoi ai.
Kurti theksoi se Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të realizojë progres gjatë katër viteve të qeverisjes dhe se ky progres do të vazhdojë.
“Ne tash si asnjëherë më parë jemi rritur shumë e kur rritesh shumë ,rriten mundësitë për t’u rritur. Por, neve tash na duhet që të rritemi edhe më shumë, na duhet ta rrisim fitoren tonë në lartësinë e gjysmë milioni zemrave të qytetarëve të Republikës së Kosovës”.
“Katër vjet kemi qeverisur mirë, bashkë, drejt. Katër vjet kemi vetëvendosur rekorde, ne vendosim rekorde dhe ne i thyejmë ato. Kush e mendon politikën krejt dhe drejt, kush e sheh atdheun cep më cep nuk ia ka frikën as rekordit të vet e as imagjinatës së vet”, tha ai.
Gërvalla: Peja ka ditur gjithmonë të ringrihet dhe të rilindë
Kryetarja e partisë “Guxo”, Donika Gërvalla, ka theksuar forcën dhe durimin e qytetit të Pejës përballë vështirësive të kaluara.
“Peja, ky qytet i rrahur përgjatë furtunave të historisë tonë, i djegur e i shkatërruar gjatë luftës, i poshtëruar pas luftës, por gjithmonë ka ditur të ringrihet dhe të rilindë. Shtëpitë edhe mund t’ia djegësh Pejës, por shpirtin as Pejës, as Dukagjinit nuk mund t’ia thyesh asnjëherë,” tha Gërvalla në fjalimin e saj.