Unioni i Sindikatave të Arsimit të Evropës, që numëron 11 milionë anëtarë është duke zhvilluar një aktivitet të rëndësishëm sindikal me temën kyçe “Sindikatat e arsimit mbështesin përfshirjen e refugjatëve dhe emigrantëve në arsim”.
“Në këtë tryezë në mesin e 64 përfaqësuese sindikalë nga e tërë Evropa marrin pjesë edhe përfaqësuesit e SBASHK-ut, nënkryetarja Vjollca Shala dhe sekretari i përgjithshëm Ymer Ymeri , të cilët kanë prezantuar përvojat e shkëlqyera të mësimdhënësve të Kosovës, të cilët pas dëbimit me dhunë të popullatës së Kosovës nga pushtuesi serb, kishin organizuar mësimin në Maqedoni, Shqipëri e Mal të Zi me fëmijët e Kosovës duke bërë që të shërohen sado pak plagët dhe traumat e luftës dhe duke bërë të mundur vazhdimin e vitit shkollor, që ishte ndërprerë pas gjithë atyre masakrave e vrasjeve që bëri makineria vrastare e pushtuesit serb kudo në Kosovë”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të SBASHK-ut.
Sipas SBASHK-ut, prania dhe kontributi i saj, në të gjitha aktivitetet sindikale në Evropë e botë dëshmon për përkushtimin që Kosova të prezantohet në mënyrë të denjë dhe për respektin meritor që SBASHK-u gëzon nga Unioni i Sindikatave të Arsimit të Evropës dhe nga Internacionalja Botërore e Arsimit, që numëron 32 milionë anëtarë e të cilat vazhdimisht e kanë përkrahur sindikatën e arsimit të Kosovës për hir të përkushtimit e angazhimit maksimal të saj në mbrojtjen e të drejtave dhe realizimit të kresave të anëtarësisë.