Lëvizja Vetëvendosje bashkë me partitë në koalicion Guxo e Alternativa ka vazhduar fushatën në Podujevë. Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, tha se në shekullin 21 lëvizja e ka emrin Vetëvendosje.

 

“Ne gjithë bashkë e dimë shumë mirë që gjatë luftës Prishtina ishte në Zonën Operative të Llapit e në paqe Llapin do ta bëjmë ZOLL të Prishtinës, Zonë Operative me investime e zhvillim ekonomik edhe me ish-aeroportin e Dumoshit, që tash e ka Ushtria jonë, Forca e Sigurisë së Kosovës. Për neve zhvillimi nuk është çështje fati apo rastësie, me ne fitojnë kategoritë shoqërore e jo personat e veçantë”, tha Kurti

Ai tha se me qeverinë e tyre nuk mbetet asnjë pëllëmbë toke djerrë.

“Ne i rrisim edhe fermat, edhe rendimentet, edhe cilësinë e prodhimeve bujqësore. Me qeverinë tonë, në sofrën tonë, e kemi bukën tonë, nga toka jonë”, tha ai para simpatizantëve në Podujevë.

Kurti tha se rruga Prishtinë- Podujevë do të përfundojë në pranverën e këtij viti.

Tutje premtoi mbështetje financiare nga shteti për gjyshërit që kujdesën për nipërit e mbesat.

“Në krejt familjet ku punojnë edhe burri edhe gruaja, e ku gjyshja e gjyshi kujdesën për fëmijët nga 1 deri në 3 vjeç, do t’i japin gjyshërve mbështetje financiare nga shteti”, tha ai.

Albulena Haxhiu ka premtuar mbështetje për gratë e vajzat.

“Zotohemi para jush se do të na keni krah në çdo sfidë për të ecur përpara. Në programin e ri me ndihmën tuaj, me përkrahjen tuaj do të mund të fillojmë programin e ri “Super puna për gratë”.

Xhelal Sveçla tha se do të vazhdojnë pa u ndalur, cep më cep Kosovës të punojnë për siguri, rend e ligj në mbrojtjen e sovranitetit e integritetit territorial.