Kandidati për kryeministër nga LDK-ja, Lumir Abdixhiku bashkë me kryetarin e komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri si dhe drejtoreshën për Kulturë në këtë komunë, Xhenet Syka kanë prerë shiritin në Galerinë e rinovuar të Arteve në Pejë, që u hap me ekspozitën personale të Korab Bashës, “Keep Calm and Smile”.
Sipas Abdixhikut, ajo që e dallon secilën komunë ku qeverisë LDK-ja, është kultura e punës.
“Prandaj, me qeverinë tonë, këtë kulturë të punës do ta sjellim edhe në nivel qendror, edhe në fushën e rëndësishme të kulturës, me investime multi-milionëshe në projekte serioze kombëtare si: Ndërtimi i Teatrit të Operas dhe Baletit Dr. Ibrahim Rugova, Teatrit të Ri Kombëtar të Kosovës, dhe Muzeut Bashkëkohor. Themelimi dhe ndërtimi i Muzeut të Paqes dhe Rezistencës e adoptimi i 10 Qendrave Multifunksionale në 10 qytete të Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.
Sipas tij, kultura përbën vet shpirtin e një populli. “Dhe me qeverinë time, shpirti kreativ i popullit tonë do ta ketë të gjithë vëmendjen e shtetit për të na inspiruar e për të na frymëzuar”, ka thënë kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku.