Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza ka zhvilluar takim me përfaqësues të sektorit të bizneseve. Ai tha se zotohet për të krijuar ambient miqësor për bizneset, duke krijuar lehtësira.
“Pa një sektor privat të zhvilluar, të fuqishëm, nuk mund të këtë shtet të zhvilluar e të fuqishëm. Do të punojmë shumë, t’iu ndihmojmë bizneseve, për t’i thjeshtëzuar procedurat”, tha Hamza para përfaqësuesve të bizneseve, në takimin e tij, në kuadër të fushatës zgjedhore.
Tutje, Hamza tha se do të mbështeten bizneset me plan të qartë për investime e zgjerim të linjave të tyre si dhe lirim nga tatimi për bizneset në fazën e investimeve.
“Bizneset qe investojnë mbi 500 mijë euro apo që punësojnë mbi 50 punëtor, 5 vjet deri në 10 vjet do të jenë të liruara nga pagesa e tatimit në fitim. Bizneset e vogla me qarkullim vjetor deri në 10 mijë euro, nuk do të tatimohen fare. Bizneset që kanë qarkullim deri ne 30 mijë euro do të tatimohen mbi bazën e tatimit real. Kjo do të zvogëlojë shumë nivelin e ngarkushmërisë. Kemi arritur në një fazë kur do ta themelojmë bursën e Kosovës apo tregun e kapitalit”, tha Hamza.
Kandidati i PDK-së për kryeministër, tha se Ligji për Tatimin në Pronë do të plotësohet ndryshohet, nëse ai merr besimin e qytetarëve për të drejtuar qeverinë e vendit.