“Është kënaqësi të ju mirëpresim në Shtëpinë e Kosovës për të shënuar këtë arritje të madhe. Marrëveshja do të zgjerojë mundësitë, do të hapë rrugë të reja eksporti dhe do të integrojë ekonominë tonë në kornizën ekonomike evropiane,” deklaroi Kurti.

Kryeministri vuri në pah progresin ekonomik të Kosovës, duke theksuar se rritja mesatare ekonomike ka qenë 6%, me të ardhurat tatimore që janë rritur me 40% krahasuar me vitin 2021, dhe një buxhet shtetëror që këtë vit është 50% më i madh.

Përveç progresit ekonomik, Kurti nënvizoi avancimet demokratike të Kosovës.

“Sipas organizatave prestigjioze ndërkombëtare, Kosova ka pasur ngritjen më të madhe demokratike në katër vitet e fundit,” tha ai.

Në fund, kryeministri falënderoi qeveritë e Norvegjisë, Islandës, Lihtenshtajnit dhe Zvicrës, si dhe ekipet negociatore, për përkushtimin dhe bashkëpunimin gjatë procesit të negociatave.

Përfaqësuesit e shteteve të EFTA-s falënderuan kryeministrin Kurti për pritjen në Shtëpinë e Kosovës dhe rikonfirmuan mbështetjen për Republikën e Kosovës. Ata theksuan se marrëveshja do të fuqizojë jo vetëm fushën ekonomike, por edhe mirëbesimin dhe raportet sociale mes popujve.

Mes tjerash u tha se kjo është e vetmja marrëveshje që EFTA ka me një shtet që nuk është anëtar i Organizatës Botërore të Tregtisë.