Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) organizoi tryezë të rrumbullakët me temën “Avancimi i qasjes në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale lidhur me konfliktin”. Sipas analizës së QKRMT-së, viktimat e dhunës seksuale gjatë konfliktit janë përballur me sfida të jashtëzakonshme për të arritur drejtësi pas përfundimit të konfliktit.
Në Kosovë, procesi i qasjes në drejtësi ka qenë i ngadaltë dhe i vështirë, i karakterizuar nga mungesa e ndëshkimeve për autorët e krimeve dhe nga barrierat institucionale dhe sociale.
Në vazhdim synohet të jepet një vështrim i hollësishëm mbi këtë proces, duke përfshirë zhvillimet kryesore, sfidat e vazhdueshme dhe përpjekjet për përmirësim.
Amnesty International ka theksuar problematikën e qindra dëshmive të deponuara paraprakisht tek Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), përfshirë të krimeve të dhunës seksuale, të cilat nuk janë procesuar.
Amnesty International kanë theksuar shqetësimin se provat mund të jenë humbur, dhe që neglizhimi apo stagnimi në përgjithësi i procesit gjithsesi çon në zhgënjimin e viktimave (Amnesty International, 2017).
Në vitin 2008, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)” mori përsipër përgjegjësinë për drejtësinë dhe policinë në Kosovë. Megjithëse EULEX kishte një mandat të fortë për të ndjekur penalisht krimet e konfliktit, përfshirë krimet e dhunës seksuale gjatë konfliktit, progresi ka qenë i ngadaltë. Shumë raste të krimeve të konfliktit nuk janë ndjekur penalisht, dhe proceset gjyqësore shpesh janë zvarritur për vite me radhë.
Nga viti 2018, dëshmitë ekzistuese kanë kaluar nga EULEX-i tek Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Deri tani, shtatë aktakuza janë ngritur për dhunimin si krim lufte, ndërsa QKRMT i ka mbështetur rreth 40 raste për të dëshmuar tek ky institucion.
Prej tyre, gjashtë janë në proces ndërsa një ka përfunduar, me ç’rast Zoran Vukotiç është dënuar në vitin 2021. Ai ishte dënuar fillimisht nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 10 vite burgim, ndërsa pas kalimit të rastit në Gjykatën e Apelit, është dënuar me 13 vite burgim, vendim ky i vërtetuar edhe nga Gjykata Supreme. Para këtij procesi që konkludoi me dënim, viktima kishte kërkuar edhe herë të tjera të arrinte drejtësi. Ajo e kishte raportuar rastin edhe më parë, përfshirë në vitin 2010 tek EULEX. Sidoqoftë, iniciativat e mëparshme nuk ishin shtjelluar tutje.
Një pikë kthese dhe njëkohësisht shprese për rastet e dhunës seksuale, sikurse edhe për krimet tjera që kanë ndodhur gjatë konfliktit, paraqet iniciativa e institucioneve kosovare për ndryshime ligjore. Në korrik të vitit 2019 ka hyrë në fuqi ligji i cili parasheh gjykimin ne mungesë ndaj të pandehurve që supozohen të kenë kryer vepra penale kundër të Drejtës Ndërkombëtare Humanitare dhe të Drejtës Ndërkombëtare Penale, në periudhën janar 1990 deri në qershor 1999 (Kuvendi i Kosovës, 2023).