“Ky program synon të pajisë nxënësit me njohuri profesionale të skijimit, ashtu siç parashihet në Kornizën e Kurrikulës së Kosovës dhe mbështetet nga Ministria Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit(MASHTI), Ministrinë e Shëndetësisë(MSH) dhe Federatën e Skijimit të Kosovës. Në përputhje me objektivat e lëndës së edukatës fizike, programi ndihmon në arritjen e kompetencave kyçe, si zhvillimi i shëndetit, mirëqenies dhe aftësive motorike, duke integruar sportin malor si pjesë të rëndësishme të edukimit”, thuhet në njoftimin e FSSHRK.

Nxënësit pjesëmarrës dhe qëllimet e programit

Sipas këtij njoftimi, pjesëmarrës në këtë projekt janë rreth 1200 nxënës të klasave të 7-ta  nga shkollat fillore dhe të mesme të ulëta në Kosovë nga 7 regjionet e Kosovës, të ndarë në 10 grupe, ku çdo grup do të ndjekë programin një-javor të organizuar në muajt janar, shkurt dhe mars 2025.

Qëllimet kryesore të programit përfshijnë:

Mësimin e skijimit profesional: Trajnime nga trajnerë të certifikuar dhe me përvojë.

Promovimin e shëndetit dhe mirëqenies: Aktivitetet fizike në natyrë ndihmojnë në përmirësimin e qëndrueshmërisë dhe mirëqenies fizike të nxënësve.

Zhvillimin e aftësive motorike: Nxënësit mësojnë dhe praktikojnë teknika të skijimit që forcojnë aftësitë motorike.

Edukimin mbi vlerat sportive: Nxënësit zhvillojnë bashkëpunimin, disiplinën dhe frymën ekipore.

Ndërgjegjësimin për mjedisin: Përmes aktiviteteve që zhvillohen në natyrë, nxënësit kuptojnë rëndësinë e ruajtjes së mjedisit.

Nxënësit pajisen me të gjitha materialet e nevojshme të skijimit dhe marrin pjesë në një mjedis të sigurt e mbështetës. Për më tepër, programi garanton gjithëpërfshirje, duke përfshirë nxënës nga qendrat burimore, për të promovuar barazinë në edukimin sportiv.

Përputhshmëria me Kornizën e Kurrikulës së Kosovës

Ky projekt shërben si praktikë shtesë e lëndës së edukatës fizike, duke ndihmuar nxënësit të përvetësojnë njohuri dhe aftësi që janë pjesë integrale e Kornizës së Kurrikulës së Kosovës. Programi thekson rëndësinë e zhvillimit të shëndetit, mirëqenies dhe aftësive motorike, duke ofruar një qasje gjithëpërfshirëse ndaj edukimit fizik përmes sportit malor.

Rreth Federatës së Sportit Shkollor të Kosovës

Federata e Sportit Shkollor të Kosovës (FSSHRK) është institucioni kryesor që promovon sportin dhe aktivitetet fizike për nxënësit e shkollave në Kosovë. Me mbi 65,000 nxënës aktivë në programet dhe aktivitetet e saj, federata ofron një gamë të gjerë nismash sportive që përfshijnë gara lokale, regjionale dhe kombëtare në disiplina të ndryshme. Përmes projekteve si “Drejt Malit” – “Sport në Shkolla” dhe aktiviteteve të tjera, FSSHRK angazhohet për të zhvilluar një brez të ri të shëndetshëm, aktiv dhe të përkushtuar ndaj vlerave sportive.