Sikundër bëhet e ditur nga kjo ministri, punëtorinë e hapi ministri Xhelal Sveçla, i cili theksoi se Qeveria e Kosovës e ka shpallur vitin 2025 si vitin e grave dhe me këtë qëllim, Ministria  e Punëve Brendshme, në bashkëpunim me të gjitha Agjencitë Ekzekutive, departamentet dhe sektorët përkatës, do të punojnë me vizion të qartë për të garantuar barazinë dhe avancimin e grave në pozita brenda institucioneve të sigurisë.

Ministri Sveçla  vuri në dukje se kjo është punëtoria e parë për hartimin e planeve dhe hapave konkret që do të sigurojnë fuqizimin e grave në institucionet e sigurisë.

“Këto plane synojnë krijimin e mundësive të reja dhe të shumta për vajzat dhe gratë e vendit tonë, duke promovuar një angazhim aktiv dhe të barabartë, pa diskriminim apo paragjykime”, theksoi ministri Sveçla.

Ai theksoi se sektori i sigurisë dhe sektoret tjera që mbulon nga ministria janë jetike për Republikën e Kosovës, prandaj përmes mbështetjes të pakushtëzuar, do të sigurohet që gratë dhe vajzat të jenë pjesë aktive e vendimmarrjes dhe garanci për sigurinë, paqen dhe stabilitetin e vendit.

Tutje në njoftim thuhet se zyrtarë të Ministrisë dhe agjencive të ndarë sipas grupeve tematike, diskutuan dhe identifikuan hapat konkret për hartimin e planit që adreson përfshirjen e grave në sistemin ministror, të Ministrisë së Punëve të Brendshme, krijimin e mjedisit të favorshëm të punës, zhvillimin profesional, promovimin dhe vetëdijesimin, si mekanizmat për monitorimin e këtij plani.