Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masë të arrestit shtëpiak prej një muaji ndaj kryetarit të Partisë Demokratike të Turqve të Kosovës, Fikrim Damka për veprat penale sulm dhe kanosje. Masë e njëjtë i është caktuar edhe të pandehurit tjetër që dyshohet se është përfshirë në këtë vepër.
“Gjyqtarja e procedurës e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë së Shtetit, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të pandehurve, dhe ka marrë akvendim për caktimin e masës së arrestit shtëpiak. Masa e arrestit shtëpiak është caktuar në kohëzgjatje prej një muaji, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 09.02.2025 dhe mund të zgjasë deri më datën 09.03.2025”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prizren.
Sipas njoftimit të pandehurit nuk guxojnë që të largohen nga vendbanimi pa lejen e gjykatës, si dhe iu ndalohet të kontaktojnë me personat me të cilët ata nuk jetojnë apo nuk janë të varur nga të pandehurit.
“Nëse të pandehurit e shkelin masën e arrestit shtëpiak, ndaj të njëjtëve do të caktohet masa e paraburgimit. Kjo masë do të mbikëqyret nga Stacioni Policor në Prizren, të cilët edhe pa kërkesë të Gjykatës në çdo kohë mund të verifikojnë zbatimin e masës së arrestit shtëpiak dhe të njoftojnë gjykatën për çdo cenim të mundshëm të masës”, thuhet tutje në njoftim.
Damka dyshohet se mbrëmjen e së dielës ka sulmuar dy persona, ku njëri prej tyre është Arda Maloku, nga Partia Inovative e Lëvizjes Turke.