Partia Demokratike e Kosovës ka përsëritur se është e gatshme të marrë përgjegjësinë e qeverisjes së vendit me kandidatin e saj për kryeministër, Bedri Hamza.
Në konferencën për media, sekretarja e përgjithshme e këtij subjekti politik, Vlora Çitaku ka vlerësuar fushatën zgjedhore dhe angazhimin strukturave të partisë për rritjen elektorale.
“Ky rezultat është dëshmi e rikthimit të besimit të qytetarëve dhe e rritjes sonë të jashtëzakonshme. PDK nuk e sheh këtë sukses si përmbyllje, por si një fillim të ri”, u shpreh Çitaku.
“PDK është e gatshme, me kandidatin tonë për kryeministër, Bedri Hamzën, të marrë përgjegjësinë e qeverisjes dhe ta çojë Kosovën përpara”, theksoi ajo.
Çitaku tha se çdo vendim politik do të merret nga organet e partisë dhe ai do të jetë transparent për publikun.
“Çdo vendim politik i PDK-së do të merret nga organet e partisë, duke u bazuar në interesin e qytetarëve dhe vizionin për një qeverisje të përgjegjshme dhe zhvillimore”, tha ajo.
Ajo i bëri thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të sigurojë numërimin e saktë të çdo vote dhe të ruajë integritetin e procesit zgjedhor, duke garantuar respektimin e vullnetit të qytetarëve.