Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ditë më parë ka përpiluar një draft-raport për Kosovën, ku theksohet rëndësia e angazhimit konstruktiv ndërmjet autoriteteve në Prishtinë dhe Beograd në mënyrë që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht e detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve.
Ai gjithashtu bën thirrje për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të mëparshme, duke përfshirë formimin e Asociacionit, por gjithashtu i bën thirrje BE-së që të heq masat kundër Kosovës.
Në draft-raport, të cilin e ka parë Klankosova.tv, raportuesi Terras i ka dhënë mbështetje të plotë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe ka mirëpritur emërimin e Peter Sorensenit si Përfaqësues Special i BE-së për dialogun ndërmjet dy vendeve.
Terras thotë se PE po ndjek nga afër zhvillimet politike dhe socio-ekonomike në Kosovë dhe thekson se ky raport i fundit, që përmbledh zhvillimet gjatë vitit 2024, vjen në këtë kohë pasi nuk mundi të realizohej më herët për shkak të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian dhe formimit të Komisionit të ri.
Si përmbledhje, thuhet se gjatë viteve 2023 dhe 2024, Kosova ka bërë përparime të dukshme në reformat zgjedhore, qëndrueshmërinë ekonomike dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Megjithatë, raportuesi Terras thotë se “mbeten sfida në reformën në drejtësi, lirinë e medias, efikasitetin e administratës publike dhe digjitalizimin e shërbimeve publike”.
“Angazhimi i vazhdueshëm ndaj reformave gjithëpërfshirëse dhe qeverisjes gjithëpërfshirëse është thelbësor për avancimin e Kosovës në rrugën e saj të integrimit evropian”, tha Terras në përmbledhje të këtij raporti.
Theksohet se disa nga sfidat e Kosovës janë probleme të trashëguara, “zgjidhja e të cilave kërkon përfshirjen e të gjithë rajonit në procesin më të gjerë të integrimit në Bashkimin Evropian”.
“Dialogu Prishtinë-Beograd, i cili u nis për të gjetur një kompromis të pranueshëm për palët, fatkeqësisht nuk ka dhënë rezultatet e pritura. Komisioni i ri Evropian, si dhe Parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare, sigurisht duhet të bëjnë gjithçka në fuqinë e tyre për të siguruar që dialogu Prishtinë-Beograd të vazhdojë me energji të përtërirë. Prandaj, emërimi i Përfaqësuesit të ri Special, Peter Sorensen, është shumë i mirëpritur”, u tha në përmbledhje të këtij raporti.
Terras tha se zgjerimi i Bashkimit Evropian ka qenë një nga historitë më të rëndësishme të suksesit të BE-së dhe duhet të vazhdojë.
“Qëllimi më i gjerë gjeopolitik i zgjerimit është eliminimi i të ashtuquajturave zona gri nga harta e Evropës. Ndryshimet e rëndësishme që kanë ndodhur në kontekstin e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës duhet të rrisin gatishmërinë e Bashkimit Evropian për t’u përballur me lojtarët konkurrues autoritarë globalë. Si Rusia ashtu edhe Kina kanë treguar se kanë interesa shumë të qarta në Ballkanin Perëndimor”, potencohet në raport.
Me këtë raport, raportuesi Terras u tha se dëshiron të ofrojë një pasqyrë dhe vlerësimin e Parlamentit Evropian për arritjet dhe sfidat më të rëndësishme me të cilat ballafaqohet Kosova sot dhe në të ardhmen e afërt.
“Sigurisht që nuk është e mundur të mbulohen të gjitha fushat problematike dhe sfidat në këtë raport. Një nga parakushtet e rëndësishme për përgatitjen e këtij raporti ishte mundësia për të vizituar Kosovën gjatë një misioni faktmbledhës dhe për t’u takuar me zyrtarë të qeverisë, liderë të opozitës dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Përgatitja e këtij raporti ka përfshirë shkëmbime shumë të dobishme me përfaqësues të institucioneve të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe organizatave ndërkombëtare, për të cilat raportuesi është shumë mirënjohës”, u tha mes tjerash në këtë raport, raporton Klankosova.tv.
Çka gjeti draft-raporti i PE-së për Kosovën?
Riho Terras, në draft-raportin për vitin 2024 për Kosovën, ka vlerësuar përkushtimin e Kosovës për anëtarësimin në BE, i cili thotë se reflekton një zgjedhje të qartë strategjike gjeopolitike dhe mbështetjen e fuqishme të qytetarëve të saj për rrugën evropiane të Kosovës.
Po ashtu, rithekson besimin e tij të vendosur se “e ardhmja e Kosovës mbetet në BE” dhe se “të gjitha përpjekjet për ta nxjerrë Kosovën nga ‘zona gri’ janë në interes të popullit të Kosovës dhe BE-së, veçanërisht në kontekstin e konkurrencës në rritje me regjimet autoritare”.
Terras mbështet aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe u bën thirrje shteteve anëtare që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë këtë pa vonesë.
Ndërkaq, teksa vlerëson “progresin e prekshëm në fushat e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, luftës kundër krimit të organizuar dhe një ekonomie tregu funksionale”, raportuesi për Kosovën në PE “shpreh keqardhje që progresi në fushën e sundimit të ligjit mbetet i kufizuar”.
Ndër të tjera, Terras i ka thënë thirrje BE-së për “heqjen e menjëhershme të masave të BE-së kundër Kosovës, të cilat nuk janë më të justifikuara dhe janë në kundërshtim me përkushtimin e demonstruar të Kosovës ndaj vlerave evropiane dhe përafrimit me politikat e BE-së”.
Po ashtu, raportuesi për Kosovën në PE përsëriti mbështetjen e tij “për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe planin e vendit për t’iu bashkuar programit të NATO-s Partneriteti për Paqe”.
Në fushat e demokracisë dhe shtetit ligjor, draft-raporti thotë se mirëpret “përparimin e rëndësishëm në adresimin e shumicës së rekomandimeve të kahershme të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së (BE MVZ) dhe në paraqitjen e një ligji konsensual për zgjedhjet e përgjithshme; vëren se kjo ofron një bazë adekuate për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe rajonale; vëren se në përgjigje të një ftese të presidentit të Kosovës, Bashkimi Evropian dërgoi një MVZ të BE-së, duke përfshirë një delegacion vëzhgues të deputetëve të Parlamentit Evropian, për të vëzhguar zgjedhjet parlamentare në Kosovë më 9 shkurt 2025”.
Ndonëse përshëndet miratimin e ligjit për prokurorinë speciale dhe progresin në gjykimin e rasteve të korrupsionit, draft-raporti thekson se “rezultatet mbeten të ndikuara nga kufizimet e burimeve dhe mungesa e paanësisë”.
“Vëren me shqetësim se renditja e Kosovës në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit mbetet e pakënaqshme; thekson se fitimi i besimit të njerëzve kërkon jo vetëm reforma legjislative, por edhe rezultate të dukshme në hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin e rasteve të korrupsionit”.
“Shpreh shqetësim serioz për dobësitë sistemike në gjyqësorin e Kosovës, veçanërisht në lidhje me pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe respektimin e ndarjes së pushteteve; rithekson shqetësimin e tij për vonesat në gjyqe dhe kritikat nga zyrtarët e qeverisë ndaj vendimeve gjyqësore në raste individuale”, thuhet ndër të tjera në draft-raportin për Kosovën.
Raporti po ashtu ka vërejtur rritjen e vazhdueshme të padive dhe dënimeve për krimin e organizuar, por “thekson nevojën që shërbimet e prokurorisë dhe policia të forcojnë veprimet e tyre të përbashkëta kundër grupeve dhe rrjeteve kriminale; shpreh shqetësimin për sfidat e sigurisë në veri të Kosovës, veçanërisht pas sulmit në Banjskë në shtator 2023, i cili kërkoi burime të konsiderueshme policore”.
Raporti “dënon incidentet e rënda të sigurisë në veri të Kosovës në fund të nëntorit 2024, akti më i rëndë që ndodhi afër fshatit Varagë të Zubin Potokut, ku mjetet shpërthyese dëmtuan kanalin kryesor të sistemit Ibër-Lepenc; shpreh mbështetjen e saj për institucionet e Kosovës në kryerjen e një hetimi të plotë të këtyre veprimeve kriminale në mënyrë që autorët të sillen para drejtësisë”.
Në fushat e lirive themelore dhe të drejtat e njeriut, raporti për Kosovën “vëren se Kosova ka strukturën e nevojshme institucionale për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut; megjithatë thekson se mbrojtja e të drejtave të njeriut mbetet e dobët për shkak të burimeve të kufizuara njerëzore dhe financiare”.
“Vëren mjedisin pluralist mediatik të Kosovës dhe nënvizon rolin e Komisionit të Pavarur të Mediave, autonomia e të cilit në vendimmarrje duhet të sigurohet rreptësishtë; bën thirrje për transparencë më të madhe për pronësinë dhe financimin e medias me synimin për të rritur pavarësinë dhe pluralizmin e medias”.
“Shpreh shqetësim serioz për rritjen e konsiderueshme të sulmeve kundër gazetarëve dhe padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike (rastet SLAPP)”, ka thënë raporti i Terras.
Në fushat e pajtimit dhe të marrëdhënieve të mira fqinjësore, raporti i Terras “përgëzon angazhimin e Kosovës në një numër iniciativash të bashkëpunimit rajonal dhe e inkurajon atë që të shtojë përpjekjet e saj për pajtim dhe të kërkojë zgjidhje për mosmarrëveshjet e kaluara”.
“Përsërit mbështetjen e tij të plotë për dialogun e lehtësuar nga BE dhe mirëpret emërimin e Peter Sorensen si Përfaqësues Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë”.
“Rithekson rëndësinë e angazhimit konstruktiv nga ana e autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit ligjërisht të detyrueshme; i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shmangin veprimet e njëanshme që mund të përshkallëzojnë tensionet; bën thirrje që të gjitha marrëveshjet e kaluara të respektohen dhe të zbatohen plotësisht, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe; u bën thirrje palëve negociuese që të rivendosin funksionimin e plotë të të gjitha institucioneve të Kosovës”.
“Pret që Kosova dhe Serbia të bashkëpunojnë plotësisht dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për kapjen dhe vënien e shpejtë para drejtësisë autorët e sulmit terrorist të vitit 2023 në Banjskë; shpreh keqardhje për faktin që Serbia ende nuk i ka ndjekur penalisht fajtorët, veçanërisht Millan Radoiçiqin, Zëvendës-President i Listës Serbe; rithekson se autorët e sulmit terrorist në Zubin Potok gjithashtu duhet të mbajnë përgjegjësi dhe duhet të përballen me drejtësinë pa vonesë”.
“I bën thirrje Zëvendës Presidentit të Komisionit/Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe Komisionit të marrin një rol më proaktiv në udhëheqjen e procesit të dialogut; bën thirrje për një rol të shtuar të Parlamentit Evropian në lehtësimin e dialogut”.
“Dënon të gjitha veprimet që rrezikojnë stabilitetin dhe rrezikojnë procesin e pajtimit, duke përfshirë tensionet në veri të Kosovës; thekson se të dyja palët duhet të zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e arritura dhe të shmangin veprimet e njëanshme që mund të përshkallëzojnë tensionet; i bën thirrje policisë së Kosovës që të sigurojë që ajo t’i respektojë plotësisht të gjitha kërkesat për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, dhe të sigurojë që një forcë përfaqësuese etnike, plotësisht në përputhje me kërkesat ligjore, të vendoset në veri të Kosovës; kujton përgjegjësinë e përbashkët të të gjithë njerëzve në Kosovë për ruajtjen e paqes dhe sundimit të ligjit”.
Ndërkaq, në fushën e reformave socio-ekonomike, draft-raporti për Kosovën, thotë se “mirëpret angazhimin aktiv të Kosovës në zbatimin e planit të ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili synon thellimin e reformave të lidhura me BE-në dhe zvogëlimin e hendekut socio-ekonomik ndërmjet shteteve anëtare të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
“Mirëpret progresin e arritur nga Kosova në zhvillimin e një ekonomie tregu funksionale dhe inkurajon Kosovën që të zbatojë reformat e nevojshme strukturore për të adresuar sfidat fiskale”.
“Vëren progresin e kufizuar të Kosovës në transformimin digjital të shërbimeve publike; thekson nevojën që ai të përafrohet me legjislacionin digjital të BE-së”.
“Kërkon nga Qeveria e Kosovës që të sigurojë qasje më të mirë në shërbimet e kujdesit shëndetësor; vëren se shpenzimet për kujdesin shëndetësor mbeten të dytat më të ulëta në rajon”.
Për energjinë, mjedisin, zhvillimin e qëndrueshëm dhe konektivitetin, raporti “vëren se Kosova ka bërë disa përparime në sigurinë e furnizimit me energji, por mbetet shumë e varur nga termocentralet e vjetruara, shumë ndotëse, që paraqesin rreziqe serioze për shëndetin dhe mjedisin; vëren se Kosova duhet të sigurojë zbatimin efikas në kohë të programit të saj energjetik për 2022-2025 për të përmbushur objektivat e saj ambicioze”.
“I kërkon Kosovës që të rrisë pajtueshmërinë me kufijtë e emetimeve, të përmirësojë integrimin e konsideratave mjedisore në politikat sektoriale dhe të miratojë masat e nevojshme për kontrollin e ndotjes dhe menaxhimin e mbeturinave, në përputhje me standardet ndërkombëtare”.
“Udhëzon Presidentin e saj që këtë rezolutë t’ia përcjellë Presidentit të Këshillit Evropian, Komisionit, Zëvendës Presidentit të Komisionit / Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, qeverive dhe parlamenteve të Shteteve Anëtare dhe Presidentit, Qeverisë dhe Kuvendit Kombëtar të Kosovës”, thuhet në përmbyllje të këtij draft-raporti.