Përmes një komunikate për medie Policia e Kosovës bën të ditur se ky rast kishte ndodhur më 17.11.2024, kur në një lokal në Leposaviq, i dyshuari i arrestuar, së bashku me tre persona tjerë, kishin sulmuar viktimën, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Tre të dyshuarit ishin arrestuar në ditën kur kishte ndodhur rasti, ndërsa i dyshuari i katërt kishte qenë në arrati.

“Arrestimi i të dyshuarit është bërë pas pranimit të informatës se i njëjti ndodhej në një lokal në Leshak të Leposaviqit, ndaj të cilit gjithashtu ishte lëshuar urdhër-arresti nga Gjykata Themelore në Mitrovicë në lidhje me rastin e lartcekur. Gjatë kontrollit tek i njëjti janë gjetur nëntë qese najloni me substancë të dyshuar narkotike”, thuhet në komunikatë.

Tutje, bëhet e ditur se i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa në lidhje me substancën narkotike, teksa Drejtoria për Hetimin e Trafikut të Narkotikëve – Mitrovicë Veri ka iniciuar rastin “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.