Në kuadër të festimeve për 17 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, sonte në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, u organizua koncerti i 17 shkurtit i cili u transmetua drejtpërdrejt në RTK.
Ky koncert u realizua nga Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, nën dirigjimin e Baki Jasharit. Programi i koncertit përfshiu një përzierje të veprave klasike dhe kompozimeve të reja nga kompozitorët kosovarë. Në këtë mbrëmje u interpretuan disa vepra të njohura, por edhe premierat e kompozitorëve të rinj, të cilat janë shfaqur për herë të parë për publikun kosovar.
Koncerti nisi me ekzekutimin e Himnit të Kosovës, një moment i fuqishëm dhe emocionues që theksoi unitetin dhe krenarinë e popullit të Kosovës.
Pas himnit, koncerti vijoi me një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes – ekzekutimin e Suitës Ilire, një kompozim i Mark Kaçinarit, i cili ishte i dedikuar kompozitorit Kristë Lekaj.
Pjesa e tretë e koncertit solli një “Fantazi për piano dhe orkestër” të kompozitorit Blond Krasniqi, e orkestruar nga ai vetë, ku Shkëlzen Baftijari interpretoi në piano.
Një nga momentet më të fuqishme të koncertit ishte ekzekutimi i Poemës Simfonike “Mizer – Reçak”, një premierë e kompozitorit Liburn Jupolli. Kjo poezi muzikore u përbë nga një serë kompozicionesh që pasqyronin tragjeditë e luftës, përfshirë “Rrethimi në mëngjes”, “Granatimet dhe bastisjet”, “Ekzekutimi i Banushit”, dhe shumë pjesë të tjera që ilustruan dramën dhe dhimbjen e Kosovës gjatë periudhës së luftës. Pjesa finale, “Të mbijetuarit”, solli një reflektim emocionues për forcën dhe qëndresën e popullit kosovar.
Tutje, u bë ekzekutimi nga krijimtaria muzikore të Giuseppe Verdit, Dies Irae nga “Rekuiem”.
Një tjetër moment i veçantë ishte Kantata “I Miri i Motrës” e kompozitorit Korab Shaqiri, e cila u shfaq për herë të parë në këtë koncert. Pjesa e parë, Intro, dhe pas saj Ninulla, Pastorale, Dasma, Lufta, Drama, Balada, dhe Elegjia e mbushën sallën me tinguj të thella dhe me larmishmëri muzikore, që shprehën themelet e një historie të ngushtë mes personazheve dhe ndjeshmërive të tyre.
Në këtë koncert, ishte mexosopranoja Flaka Goranci që e pasuroi këtë program festiv me performancën dhe zërin e saj i fuqishëm.
Programi u përmbyll me kompozimin e Valton Beqirit, “Vendi Im”, bazuar në temën e këngës tradicionale “Mallëngjimi”, që i dha një prehje emocionale mbrëmjes.