VOA
Presidenti francez Emmanuel Macron po zhvillon bisedime me një grup udhëheqësish evropianë , të përqëndruara tek situata në Ukrainë, mes një ndryshimi në qasjen amerikane ndaj konfliktit dhe sugjerimeve të bëra nga zyrtarë amerikanë, se Evropa nuk do të ketë rol në bisedimet e paqes.
Në këtë takim po marrin pjesë udhëheqës nga Britania, Gjermania, Italia, Polonia, Spanja, Holanda dhe Danimarka.
Kryeministri britanik Keir Starmer pas takimit tha se duhet të ketë mbështetje nga Shtetet e Bashkuara për vendet evropiane për të dërguar forca paqeruajtëse në Ukrainë, pas arritjes së një marrëveshje të paqes.
“Evropa duhet të luajë rolin e saj dhe unë jam i gatshëm të shqyrtojë angazhimin e forcave britanike në terren së bashku me të tjerët, nëse ka një marrëveshje paqeje të qëndrueshme, por duhet të ketë një mbështetje të Uashingtonit. Një garanci sigurie e Shteteve të Bashkuara është e vetmja mënyrë për të penguar me sukses Rusinë nga përsëritja e sulmit ndaj Ukrainës”, u tha Kryeministri Starmer gazetarëve.
Po kështu i pranishëm në takim ishte edhe shefi i NATO-s Mark Rutte, Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa, si dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Kancelari gjerman Olaf Scholz pas takimit bëri thirrje për unitet mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara mbi sigurinë e Ukrainës.
“Nuk duhet të ketë ndarje të sigurisë dhe përgjegjësisë mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara”, u tha zoti Scholz gazetarëve pas një takimi të nivelit të lartë evropian në Paris.
“Me fjalë të tjera, NATO-ja mbështetet në faktin se ne gjithmonë veprojmë së bashku dhe ndajmë rrezikun, duke garantuar kështu sigurinë tonë. Kjo nuk duhet të vihet në dyshim”.
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen tha se takimi ishte jo formal dhe nuk ishte e paraparë për të marrë vendime. Ajo shprehu bindjen se pavarësisht përpjekjeve për të siguruar një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, “unë nuk shohë asnjë shenj se rusët duan paqe”.
Para takimit Presidenti Macron bisedoi me homologun amerikan Donald Trump, sipas një njoftimi të zyrës së presidentit të Francës.
Ende nuk janë dhënë detaje për bisedën mes dy udhëheqësve.
Keith Kellogg, i dërguari i Presidentit amerikan Donald Trump për Ukrainën, u tha gazetarëve në selinë e NATO-s në Bruksel të hënën se askush nuk do të imponojë një marrëveshje paqeje ndaj Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. Sipas zotit Kellog është populli i Ukrainës ai që do të vendosë.
Ai shtoi se ende po punohet për realizimin e një takimi të tij në Ukrainë, me Presidentin Zelensky.
Ditët e fundit udhëheqësit evropianë kanë premtuar mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën. Kryeministri britanik Keir Starmer ka thënë se qeveria e tij ishte gati të dërgonte trupa në këtë vend, si pjesë e një force paqeruajtëse që mund të shkonte atje pasluftës.
“Nuk është një gjë të cilën e them me lehtësi”, tha ai të dielën për gazetën ‘Daily Telegraph’. “E ndjej shumë thellë përgjegjësinë që vjen me vënien e mundshme të ushtarakëve, gra e burra britanikë, në rrezik”.
Zoti Starmer shtoi se sigurimi i një paqeje të qëndrueshme në Ukrainë ishte thelbësore për të penguar Presidentin rus Vladimir Putin që të kryejë akte të tjera agresioni.
Kryeministri suedez Ulf Kristersson tha të hënën se vendi i tij nuk e përjashtonte kontributin me trupa për një forcë paqeruajtëse e cila do të kishte një “mandat të qartë”.
Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa tha se Konferenca e Sigurisë e Mynihut që u mbajt javën e kaluar kishte si mesazh të qartë se siguria e Ukrainës dhe Bashkimit Evropian “nuk mund të ndahen”.
“Nuk do të ketë negociata të besueshme dhe të suksesshme, nuk do të ketë paqe të qëndrueshme, pa Ukrainën dhe pa Bashkimin Evropian”, shtoi ai.
Ndërkohë Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio mbërriti të hënën në Arabinë Saudite për takime, përfshirë bisedimet që priten të martën me diplomatët rusë për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Në bisedime pritet të marrë pjesë i dërguari i SHBA-ve për Lindjen e Mesme Steve Witkoff si dhe këshilltari për Sigurinë Kombëtare Mike Waltz.