“Nuk nderojmë sot vetëm individët, por edhe vetë shpirtin shqiptar, atë shpirt që nuk dorëzohet kurrë, e që brez pas brezi kanë mbrojtur  amanetin e lirisë. Shqipëria e Kosova janë më shumë se dy shtete. Ne jemi një komb, një gjak, një flamur një histori, të lidhura përjetësisht. Historia jonë është një histori krenarie”, tha Begaj.

I pari i shtetit shqiptar, tha se as pushtimi, as padrejtësitë, as diktaturat as gjenocidi nuk thyen kurrë ndërgjegjen kombëtare.

“Shqipëria ka kontribuuar e do të kontribuojë për Kosovën, sepse kështu na thotë ndërgjegjja jonë kombëtare. Ndihma për Kosovën, është ndihmë për vetëm tonë.  Ne duhet të qëndrojmë krah për krah, në çdo fushë të jetës, ekonomi, siguri, shkencë. Marrëdhëniet tona i lidhë gjaku, kanuni, historia e kombi. Kosova e pavarur është  një realitet që nuk kthehet pas, një realitet që është fituar me gjak e sakrificë”, tha presidenti i Shqipërisë në fjalimin e tij në këtë ngjarje të organizuar nga presidentja Vjosa Osmani e cila dekoroi me medalje presidenciale ata që kontribuuan për Kosovën.