Instituti GAP dhe Helvetas/Projekti për Decentralizimin dhe Përkrahje Komunave (DEMOS), bashkëfinancuar nga Bashkim Evropian, Zvicra dhe Suedia, prezantuan sot raportin “Praktikat e 15 komunave në shpërndarjen e investimeve kapitale nëpër lokalitete 2018–2023”.
Përmes këtij raporti, Instituti GAP ka analizuar potencialin dhe trendet e 15 komunave në përdorimin e buxhetit për investimet kapitale dhe shumat e mjeteve financiare që kanë ndarë ato nëpër lokalitetet rurale. Prezantimi u bë gjatë një tryeze diskutimi, në të cilin morën pjesë përfaqësues të komunave që ishin pjesë e këtij raporti si dhe përfaqësues të donatorëve.
Bekim Salihu nga Instituti GAP prezantoi gjetjet e raportit ku theksoi se shpërndarja e fondeve nëpër lokalitete rurale tregon pabarazi të dukshme.
“Në disa komuna, lokalitete të caktuara kanë përfituar shuma të larta, ndërsa të tjera kanë përfituar pak ose asnjë investim. Përjashtuar Junikun dhe Graçanicën që në buxhetet e tyre nuk i specifikojnë se cilat lokalitete përfitojnë, 13 komunat e tjera kanë gjithsej 595 lokalitete. Nga këto, 166 lokalitete (28%) nuk kanë përfituar fare nga investimet kapitale, 193 lokalitete (32.5%) kanë përfituar pjesërisht (në së paku tri nga gjashtë vitet), ndërsa 236 lokalitete (39.5%) kanë përfituar çdo vit ose së paku pesë në gjashtë vite përgjatë periudhës 2018 – 2023. Pavarësisht se pjesa më e madhe e buxhetit për investime kapitale shpenzohet në infrastrukturë, shumë komuna hasin vështirësi në përmbushjen e premtimeve elektorale të dhëna në këtë fushë. Instituti GAP rekomandon rritjen e investimeve në zona rurale, përfshirjen në investime të lokaliteteve të papërfshira gjatë periudhës 2018-2023, diversifikimin e investimeve përtej infrastrukturës dhe organizimin e më shumë dëgjimeve buxhetore”, thuhet në raportin e GAP-it.
Majlinda Jupolli, zëvendësmenaxhere e projektit DEMOS, foli për mbështetjen që ka ofruar projekti në përmirësimin e kapaciteteve të komunave në planifikimin e hershëm buxhetor, përmirësimin e qasjes në informacione publike dhe angazhimin e qytetarëve në procese vendimmarrëse.
Salvador Elmazi, Drejtor i Departamenti të Buxhetit në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, theksoi se që nga viti 2019 deri më tani, investimet kapitale si total, por, edhe realizimi i tyre, kanë treguar trend rritës. Ai theksoi se gjetjet nga ky raport mund të ju shërbejnë komunave si mundësi për përmirësimin e procesit të hartimit të buxhetit. Në fund, ai theksoi se një ndër problemet e mëdha që komunat po hasin vijnë nga kontratat kolektive, ku vendimet përmbarimore kanë përkeqësuar zbatimin e projekteve nga investimet kapitale.
Ndërkaq, Drilon Shala përfaqësues i projektit DEMOS theksoi se nga hulumtimi i zhvilluar, del se shumica e lokaliteteve ku jetojnë komunitetet jo shumicë, me përjashtim të Dragashit dhe Prizrenit, përfitojnë pak ose aspak nga kategoria e buxhetit që i përket investimeve kapitale. Pavarësisht pjesëmarrjes së kënaqshme të grave në disa komuna, mbetet shqetësuese pjesëmarrja e ulët e përgjithshme e qytetarëve në konsultimet buxhetore. Ai gjithashtu shtoi se me qëllim që implementimi i projekteve të mos përcillet me parregullsi është më së i domosdoshëm një planifikim adekuat i investimeve kapitale.
Në tryezën e diskutimit kontribuuan edhe zyrtarë komunal nga drejtoritë për financa dhe buxhet dhe shërbime publike si dhe akterë të tjerë.