Lezha përkujtoi sot 581-vjetorin e Besëlidhjes së Princave Shqiptarë me një sërë aktivitetesh për të nderuar këtë ngjarje historike. Ceremonia nisi me vendosjen e kurorave me lule dhe homazhe pranë varrit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Më pas, të pranishmit u zhvendosën në lulishten përballë memorialit, ku u përurua shtatorja e heroit kombëtar, Skënderbeut.
Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili ka marrë pjesë në aktivitetet e 581-vjetorit të Besëlidhjes së Princave Shqiptarë, tha se Besëlidhja e Lezhës nuk ishte thjesht një marrëveshje mes prijësve shqiptarë, por një betim i shenjtë.
“Sot, me zemrën plot emocion dhe krenari të pamasë, pata nderin të jem në Lezhë, aty ku historia jonë mori udhë drejt pavdekësisë! Në këtë tokë të shenjtë, 581 vite më parë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe princat shqiptarë ngritën Besëlidhjen e Lezhës – betimin e madh për liri, dinjitet dhe mbijetesën e kombit tonë. Besëlidhja e Lezhës nuk ishte thjesht një marrëveshje mes prijësve shqiptarë, por një betim i shenjtë, një ideal i lartë që na mësoi se shqiptarët, kur janë të bashkuar, janë të pamposhtur! Aty u shkrua me gjak dhe besë historia e një kombi që nuk u përkul kurrë përpara asnjë armiku!”, tha ai.
Duke shtuar se nga ai moment e deri më sot, ky amanet na ndriçon rrugën, na fton të jemi bashkë, të mbrojmë gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë të shtrenjtë! Skënderbeu nuk ishte thjesht një luftëtar – ai ishte vetë shpirti i kombit, ai ishte zëri i të gjithë atyre që jetuan dhe ranë për këtë tokë!
“Sot, përpara shtatores së tij madhështore, ne përkulemi me nderim, por njëkohësisht ngritemi më të fortë dhe më krenarë! Historia nuk është vetëm e shkuara jonë – është përgjegjësia jonë për të ardhmen!. Lavdi përjetë Gjergj Kastriotit Skënderbeut! Lavdi të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e kombit tonë!”, tha ai.