Sipas aktakuzës, në periudhën kohore prej marsit të vitit 2021 deri në qershor të vitit 2022 në Prizren, në kohë të pacaktuar në cilësinë e personit zyrtar – si u.d. drejtor i njërës prej shkollave të mesme në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo t’i shkaktojë dëm personit tjetër që kapin shumën 3.869,90 €, duke i shkaktuar dëm buxhetit komunal në Prizren. Me këto veprime, sipas prokurorisë, i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Gjithashtu, i njëjti prej 26.07.2021 deri më 15.11.2021, në cilësinë e personit zyrtar – si u.d. drejtor i njërës prej shkollave të mesme në Prizren, ka falsifikuar dokumentet zyrtare, në atë mënyrë që ka përpiluar dhe lëshuar dokumentin në emër të anëtarëve të komisionit të shkollës të cilëve iu ka munguar vendimi se janë anëtarë të komisionit, duke i nënshkruar procesverbalet pa njohurinë e anëtarëve të komisionit dhe atë në emër të: A.B., E.S., E.N., R.M., Sh.M., A.D., A.I. dhe D.B., ku në bazë të këtyre procesverbaleve janë realizuar pagesa për operatorët e lartëcekur pa dijeninë, nënshkrimin dhe prezencën  e anëtarëve të komisionit, të cilët kanë mohuar pranimin mallrave  dhe shërbimeve për nevojat e shkollës. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale ‘Falsifikimi i dokumenteve zyrare”, njofton KPRK.

Tutje bëhet  ditur se prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.