Bogujevci ka sqaruar situatën që ka ndodhur sot në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci, pas deklaratës së kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, se është tërhequr aplikacioni i Kosovës për status të mysafirit special në Këshill të Evropës.

“Kjo pikë është pjesë procedurale e një shteti që aplikon për anëtarësim. Komiteti e trajton kërkesën me propozim të Byrosë dhe jep opinionin për Byronë, e cila e merr vendimin. Me kërkesë të deputetit Pablo Hispan, udhëheqës i grupit të EPP-së, është shtyrë kjo pikë e rendit të ditës. Kosova ka arritur sukses të jashtëzakonshëm kur, me mbi 80% të votave, kaloi raportin në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës  për anëtarësim”, ka sqaruar ajo.

Bogujevci më tej ka thënë se është për keqardhje reagimi i tillë i Bërnabiq si arritje e tyre.

“Është për keqardhje që një shtet e prezanton arritjen e një çështjeje që fare nuk lidhet me ta, për beteja të tyre politike të brendshme siç ka bërë sot Serbia. Republika e Kosovës do të bëhet anëtare e plotë e Këshillit të Evropës sepse tashmë këtë e ka thënë Asambleja me votë. Ky është një proces i pandalshëm dhe i pakthyeshëm”, ka shkruar ajo në facebook.

Për këtë ka reaguar edhe anëtarja tjetër e grupit që përfaqëson Kosovën, Ariana Musliu – Shoshi, e cila ka kërkuar mobilizim.

“Kjo situatë tregon nevojën për mobilizim si shtet, në bashkëpunim me aleatët tanë, për të krijuar një strategji të qartë që do të sigurojë realizimin e prioriteteve dhe agjendave tona në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar ajo.