Bedri Shabani e Muharrem Qerimi të martën janë paraqitur në gjykatë. Në seancën fillestare prokurori Bekim Kodraliu, ka lexuar aktakuzën për të dy.

“I pandehuri Bedri Shabani e ka ndihmuar agjencinë e inteligjencës dhe sigurisë së Serbisë që njihet si BIA, në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe materialeve që ndërlidhen me UÇK-në përfshirë eprorët e saj si dhe me ngjarjet dhe objektet si spitali ushtarak i UÇK-së në fshatin Molopollc të Shtimës dhe masakrën e Reçakut në atë mënyrë që i pandehuri të dhënat dhe informacionet në fjalë ia kishte transmetuar zyrtarit të lartë të BIA-së Sergjan Rosiq, përgjegjës për regjionin e Pançevës si dhe kolonel Bogolup Janiveviq ish-komandant i policisë së Serbisë në regjionin e Ferizajt, gjatë kohës së luftës në Kosovë dhe udhëheqës i operacionit ushtarak në masakrën e Reçakut”, ka theksuar prokurori special, Bekim Kodraliu.

Bedri Shabani akuzohet se e ka ndihmuar BIA-n në krijimin e një narrative të pavërtetë me qëllim që të ndërlidhë spitalin ushtarak të UÇK-së të Molopollcit të Shtimes me të ashtuquajturën ‘Shtëpia e verdhë’ në Burrel të Shqipërisë, kinse janë bërë trafikim organesh, si dhe ka vënë në dyshim të vërtetën e Masakrës së Reçakut.

Sipas aktakuzës të pandehurit me këto veprime e kanë rrezikuar dhe dëmtuar rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës.

Edhe Muharrem Qerimi akuzohet se e ka kryer veprën penale “Spiunazh”, sipas kodit penal të Republikës së Kosovës.

“I pandehuri Muharrem Qerimi nga viti 2012 e në vazhdimësi nga arrestimi i tij e deri më datë 5.06.2024 e ka ndihmuar BIA-n në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve dokumenteve dhe materialeve të ndryshme që kanë të bëjnë me luftën dhe pjesëtarët e UÇK-së, emrat e eprorëve të Policisë së Kosovës, IKP-së, AKI-së, pastaj emrat e dëshmitarëve tashmë të njohur të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, pastaj në lidhje me veprat penale të krimit të organizuar, korrupsionin e të cilat informacione ia ka transmetuar zyrtarit të lartë të BIA-s, Sërgjan Rosiq”, ka vazhduar ta lexojë aktakuzën prokurori special, Bekim Kodraliu.

Meqenëse të akuzuarit e kanë marrë aktakuzën vetëm disa minuta para se të hyjnë në seancë, Besnik Berisha, avokat mbrojtës i Bedri Shabanit tha se është e pamundur që brenda një afati kaq të shkurtër të lexohet dhe studiohet aktakuza, e që i akuzuari të deklarohet rreth fajësisë. Kështu që i akuzuari Bedri Shabani ka kërkuar kohë shtesë për leximin e akatakuzës, ndërsa i akuzuari Muharrem Qerimi ka deklaruar se e ka kuptuar aktakuzën.

Kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri ka nxjerr aktvendim që seanca e radhës të mbahet më 17 mars.