Në takimin e Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s për vendimmarrje, i mbajtur sot në Prishtinë me praninë e përfaqësuesve të palëve dhe Komisionit Evropian, për herë të parë, Kosova u përfaqësua në CEFTA si palë e barabartë, pa praninë e UNMIK-ut. Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se në këtë takim janë marrë katër vendime.

“Sot në takim, i sigurova palët anëtare të CEFTA-s se Kosova do të ketë një kryesim aktiv, me synim arritjen e zbatimit të suksesshëm të vendimeve të CEFTA-s, të miratuara vitin e kaluar, dhe zhvillimet e mëtejshme në lidhje me marrëveshjen CEFTA, si dhe të sigurojmë zbatimin e masave të CEFTA-s në kuadër të Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal 2”, tha Rozeta Hajdari, Ministre e Tregtisë dhe Industrisë.

Ndërsa, David Hudson nga Komisioni Evropian tha se deri në fund të këtij viti pritet të arrihen edhe objektiva të tjera.

“Siç tha ministrja, kemi arritur disa progrese këtë vit. Kjo është e rëndësishme sepse CEFTA nuk është vetëm një marrëveshje burokrate, por është një marrëveshje për të sjellë benefite për bizneset tona dhe konsumatorët. Mënyra e bashkëpunimit në kuadër të CEFTA-s orientohet në principet e BE-së, ku kemi një bashkëpunim që ndihmon dhe mbështet njëri-tjetrin për një bashkëpunim konstruktiv”, tha Hudson.

Në këtë takim pati përfaqësim të shteteve anëtare, përpos Serbisë, e cila mori pjesë online, ndërsa të gjithë u pajtuan për vendimet dhe planin e propozuar nga Kosova për planin 2025 për CEFTA-n.