Dhjetra qytetarë protestuan sot para zyrës së EVN-së në Butel të Shkupit, për të shprehur revoltën e tyre ndaj faturave të larta të energjisë që u kanë ardhur muajve të fundit.
Njëri prej organizatorëve të kësaj proteste tha se vetëm për një muaj ka paguar rreth 800 euro faturë të energjisë elektrike.
“Si një familje, ku vetëm unë jam i punësuar, nuk dimë më çfarë të bëjmë për të përballuar këtë kosto të lartë të jetesës. Kjo situatë është e padrejtë dhe e papranueshme. Kërkojmë nga EVN që të marrë masa urgjente për zgjidhjen e këtij problemi”, tha Agim Demiri, organizator i protestës.
“Do të thotë puna është shumë shkurtë, dje EVN ka treguar se ka korrigjuar 2,200 fatura. Ne këtu të gjithë jemi dalë, asnjë për vete, jemi dalë për krejtë. Ajo na ka vjedhur edhe e ka pranuar që ka vjedhur. 2,200 fatura i ka korrigjuar. Ne kemi ardhur këtu për të thënë ‘Mos na vidhni më!'”, u shpreh Ramadan Ramadani, qytetar.