Me rastin e manifestimit për Epopenë e UÇK-së, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, bëri homazhe te varrezat e dëshmorëve në Velani. Rama theksoi rëndësinë monumentale të nderimit të dëshmorëve që sakrifikuan për lirinë e Kosovës.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se nderimi i heronjve, të cilët sakrifikuan jetën për lirinë, është sublim dhe monumental për vendin.
“T’i nderojmë dëshmorët e kombit tonë për Epopenë e UÇK-së, për 5, 6, dhe 7. Për këto ditë sublime, ditë të mëdha, ditë monumentale për vendin tonë, për të nderuar sakrificën e vendit tonë, sakrificën e popullit tonë që na e dhanë lirinë, që sot e festojmë këtë liri, këtë demokraci, që sot kemi mundësi ta planifikojmë të ardhmen tonë”, tha Rama.
“Lavdi jetës dhe veprës dhe heroizmit legjendar të komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për liri në të gjitha periudhat e luftës sonë çlirimtare”, tha Fatmir Sopi, ish-komandant i UÇK-së.
Më pas, kryetari Rama bëri homazhe te shtatorja e heroit, Zahir Pajaziti, për të vazhduar në Prekaz.