“Pranim-dorëzimi është realizuar zyrtarisht në bashkëpunim dhe koordinim mes dy komisioneve respektive: Ministrisë së Mbrojtjes/FSK-së dhe Agjencisë së Pyjeve të Kosovës. Lokacioni, me sipërfaqe prej 100 hektarësh, ndodhet në rajonin e Batllavës (ish-Poligoni i Batllavës), në komunën e Podujevës, tek vendi i quajtur Lumi i Surdullit”, njofton ministria e Mbrojtjes.

Sipas ministrisë, vendimi në fjalë pason një proces të gjatë të transformimit dhe forcimit të kapaciteteve të FSK-së, duke përfshirë edhe marrjen në shfrytëzim të ish-poligonit të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës për Zonën e 5-të Mbrojtëse të ZOLL-it.

“Transferimi i këtyre pronave nga Agjencia e Pyjeve të Kosovës te FSK-ja synon të përmirësojë infrastrukturën dhe kapacitetet operacionale të forcave të sigurisë së vendit. Ky është një hap tjetër drejt konsolidimit të kapaciteteve tona ushtarake dhe sigurimit të një të ardhmeje më të sigurt për vendin tonë”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Mbrojtjes.