Kryeministri Albin Kurti, mirëpriti sot Koordinatoren e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Arnhild Spence, me të cilën diskutoi mbi bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet institucioneve qeveritare dhe agjencive të OKB-së.
Kryeministri vlerësoi kontributin e OKB-së në zhvillimin e vendit dhe theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për drejtësinë sociale në qendër të politikave shtetërore.
“Në takim u diskutua edhe mbi rëndësinë e drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, duke theksuar domosdoshmërinë e trajtimit të kësaj çështjeje si krim lufte dhe detyrimin për të garantuar mbështetje të vazhdueshme institucionale për të mbijetuarat. Po ashtu, u trajtua çështja e verifikimit të diplomave, ku Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për zgjatjen e mandatit të Komisionit për këtë proces të rëndësishëm, duke siguruar që çdo qytetar të ketë mundësinë e barabartë për të ushtruar të drejtat e tij akademike dhe profesionale”, thuhet në komunikatën për media të Kryeministrisë.
Më tej bëhet e ditur se është diskutuar mbi rëndësinë e digjitalizimit për rritjen e transparencës dhe efikasitetit në administratën publike në çdo cep të vendit, një prioritet i Qeverisë së Kosovës në rrugën e modernizimit të institucioneve shtetërore.