Më shumë se 1,000 njerëz, përfshirë 745 civilë, janë vrarë në dy ditët e përleshjeve midis forcave siriane të sigurisë dhe luftëtarëve besnikë ndaj regjimit të rrëzuar të Bashar al-Asad, njoftoi Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR).
Sipas kësaj organizate britanike, në luftime janë vrarë 125 pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe 148 besnikë të Asadit, ndërsa vlerësime të ndryshme sugjerojnë se numri i viktimave mund të jetë më i madh. Përmendet se të premten dhe të shtunën janë kryer rreth 30 masakra kundër alavitëve, komunitetit pakicë fetar nga i cili erdhi Assad.
Rebelim i besnikëve të Asadit dhe hakmarrje masive
Përleshjet shpërthyen të enjten kur luftëtarët besnikë të regjimit të rrëzuar të Asadit zunë pritë ndaj forcave të sigurisë në Jableh, një qytet në provincën bregdetare të Latakisë.
Kjo ofensivë e koordinuar gjerësisht ishte sfida më e madhe për autoritetet e reja siriane, të cilat erdhën në pushtet tre muaj më parë kur opozita, e udhëhequr nga grupi islamik Hayat Tahrir al-Sham, përmbysi Asadin.
Për të shuar rebelimin, qeveria siriane thirri përforcime, duke bërë që mijëra luftëtarë të mbërrinin në bregdet nga të gjitha pjesët e vendit. Edhe pse zyrtarisht nën kontrollin e qeverisë së re, shumë milici mbetën të padisiplinuar dhe të akuzuar për krime të së kaluarës.
Qeveria siriane ka pranuar se kanë ndodhur vrasje masive, por pretendon se “veprimet individuale” kanë shkaktuar vdekje civile dhe se mbërritja e një numri të madh luftëtarësh në rajonin bregdetar ka çuar në shkelje të të drejtave të njeriut.
Ekzekutimet masive dhe dhuna ndaj civilëve
Sipas Rrjetit Sirian për të Drejtat e Njeriut, më shumë se 40 njerëz u vranë menjëherë në qytetin al-Mukhtariya, ndërsa videot shfaqnin luftëtarë me uniforma sigurie që ekzekutonin njerëz nga afër, duke i detyruar të burgosurit të lehnin si qen dhe duke i rrahur brutalisht. Autenticiteti i pamjeve nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Latakia, një rajon me një popullsi të madhe alavitësh, sekti nga i cili erdhi presidenti i rrëzuar Assad, është kthyer në një skenë vrasjesh për hakmarrje. Megjithëse shumica e alavitëve nuk ishin të lidhur me regjimin e Asadit, qeveria e re premtoi se nuk do të kishte hakmarrje kundër këtij komuniteti pakicë.
Por vrasjet e qindra alavitëve ditët e fundit kanë ndezur një valë frike mes anëtarëve të atij grupi fetar.
Një banor i qytetit Snobar në Latakia përshkroi sesi persona të armatosur vranë të paktën 14 nga fqinjët e tij nga familja Arris, duke përfshirë një baba 75-vjeçar dhe tre djemtë e tij, të ekzekutuar para nënës së tyre.
“Pasi vranë babanë dhe djemtë, i thanë nënës të hiqte arin ose do ta vrisnin edhe atë”, tha burri, i cili kërkoi anonimitetin për arsye sigurie.
Një tjetër banor i Latakisë tha se nuk ka pasur energji elektrike apo ujë për më shumë se 24 orë dhe se njerëzit kanë frikë të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të militantëve të cilët po vrasin këdo në rrugën e tyre.
“Trupat janë shpërndarë nëpër rrugë. Ky është ndëshkim kolektiv.”
Lideri sirian bën thirrje për paqe
Udhëheqësi sirian Ahmed Shaara bëri thirrje për qetësi të dielën pasi më shumë se 1,000 njerëz, kryesisht civilë, u vranë në zonat bregdetare në ditët e fundit në dhunën më të keqe që nga rënia e Bashar al-Assad, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut.
“Ne duhet të ruajmë unitetin kombëtar dhe paqen, ne mund të jetojmë së bashku,” tha Shaara, presidenti i përkohshëm, në një video të transmetuar nga mediat arabe, duke përfshirë televizionin saudit Al-Arabiya, i cili e tregonte atë duke folur në një xhami ndërsa përleshjet vazhdonin midis forcave të lidhura me sundimtarët e rinj islamikë dhe luftëtarëve nga sekti alavit i Asadit.
Përleshjet vazhduan të dielën mbrëma në disa qytete ku grupet e armatosura qëlluan mbi forcat e sigurisë dhe zunë pritë makinash në rrugët që të çojnë në qytetet kryesore në zonën bregdetare, tha një burim sirian i sigurisë për Reuters.
Burimet siriane të sigurisë thanë se të paktën dyqind anëtarë të tyre u vranë në këto përleshje pas sulmeve të koordinuara dhe prita ndaj forcave të tyre.
Reagimet ndërkombëtare
I dërguari i OKB-së për Sirinë Geir Pedersen bëri thirrje për mbrojtjen e civilëve, ndërsa Franca dënoi dhunën kundër civilëve “për shkak të fesë së tyre”.
Ministria e Jashtme franceze u bëri thirrje autoriteteve siriane të sigurojnë hetime të pavarura për masakrat dhe ndëshkimin e përgjegjësve.
Grupet e të drejtave të njeriut kanë paralajmëruar se një përkushtim i vërtetë ndaj drejtësisë tranzicionale dhe një qeverie gjithëpërfshirëse është çelësi për të parandaluar që Siria të kthehet në dhunë.
Qeveria e re siriane pritet të shpallë përbërjen e qeverisë së re këtë muaj, e cila do të shqyrtohet nga afër për të përcaktuar nëse pasqyron diversitetin fetar dhe etnik të vendit, veçanërisht pas kësaj vale dhune.
Shefi i Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut: Kjo është dhuna më e keqe në vitet e fundit
Rami Abdulrahman, kreu i Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, tha se vrasjet masive në Jableh, Baniyas dhe zonat përreth në zemër të rajonit të dominuar nga alavitët e Sirisë përfaqësonin dhunën më të keqe në vite.
Viktimat përfshinin gra dhe fëmijë nga pakica alavite, shtoi ai.
Abdulrahman ka qenë një kritik i Asadit për vite me rradhë dhe tani thekson se aktualisht po ndodhin “masakra sektare që synojnë dëbimin e popullsisë alavite nga shtëpitë e tyre”.
Assad u rrëzua dhjetorin e kaluar, pas dekadash sundimi nga familja e tij, e shënuar nga shtypja e ashpër dhe një luftë civile shkatërruese.