Gjykata Themelore në Prishtinë është bërë me “Dhomën e sigurt”, e cila mundëson siguri për të mbijetuarit e dhunës seksuale në Kosovë.
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) e ka cilësuar këtë si hap të rëndësishëm për drejtësinë dhe dinjitetin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.
Sipas njoftimit, nga kjo dhomë do të mund të jepet dëshmia gjyqësore përmes video-lidhjeve, në mënyrë që të ruajnë privatësinë.
“Për më tepër se kaq, ‘Dhoma e sigurt’ do të jetë një hapësirë e mbrojtur dhe mbështetëse për të mbijetuarit e dhunës seksuale, ku ato/ata mund të përgatiten me kujdes dhe ndjeshmëri përpara se të dëshmojnë në gjykatë. Në këtë ambient të ngrohtë dhe të sigurt, të mbijetuarit do të kenë pranë psikologen dhe përfaqësuesin e tyre ligjor, duke marrë mbështetjen emocionale dhe praktike që u nevojitet për t’u ndjerë sa më të fortë dhe të përgatitur. Gjatë dhënies së dëshmisë, nëse rikujtimi i përjetimeve të tyre shkakton vështirësi emocionale, të mbijetuarit mund të kërkojnë një ndërprerje të shkurtër dhe të tërhiqen në këtë hapësirë të sigurt, bashkë me psikologen e tyre”, njofton QKRMT.
Bëhet e ditur se kjo dhomë do të ketë edhe hyrjen e veçantë për mos cenim të privatësisë së të mbijetuarve.