Me nëntë vota për Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar dy rekomandimet e Qendrës së Numrimit dhe Rezultave të paraqitura nga anëtari i PDK-së, Arianit Elshani, duke vendosur kësisoj për rinumërim të votave në 50 vendvotime.
Në fillim të mbledhjes anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Arianit Elshani, ka kërkuar që të ketë rinumërim të plotë në 15 vendvotime ku ka mospërputhje të nënshkrimeve.
Elshani ka thënë se këto vendvotime janë të shpërndara në të gjithë Kosovën.
“Kemi pranuar kërkesë të verifikimit të listës së votimit. Janë identifikuar 15 vendvotime që ka mospërputhje të nënshkrimeve. Këto 15 vendvotime rekomandojmë që të kenë një rinumërim të plotë për të gjitha subjektet politike të shpërndara në gjithë Kosovën”, ka thënë ai.
Tutje Elshani ka shtuar se është rekomanduar që edhe 25 vendvotime në Vushtrri të hidhen në rinumërim për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të votave.
“Një raport i dytë është për rezultatet e kandidatëve të LDK-së. Nga ky raport të ndryshimeve mes rezultateve në QKN dhe rezultatet e dala nga rinumërimi ka ardhur si rekomandim që 35 vendvotime të hidhen në rinumërim të plotë që janë nga Komuna e Vushtrrisë. 35 kuti të votimeve do të rinumërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve për shkak të diferencave në mes të votave të kandidatëve, numërimi do të bëhet që të hiqen të gjitha dyshimet dhe të kemi konstatime të qarta se çka ka ndodh dhe cilat janë rezultatet reale që janë brenda atyre kutive të votimit”, ka thënë Elshani.
Ndëkohë, drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, tha se janë të gatshëm që sot të nisin rinumërimin e kutive të votimit.