Sipas autoriteteve lokale ky projekt përfshin hapësira të gjelbëruara, minisheshe, zona rekreative dhe sportive, si dhe hapësira argëtuese për fëmijët.

Punimet për ndërtimin e këtij sheshi parashihet të zgjasin 240 ditë pune, derisa sipas kryetarit të komunës, Përparim Rama, paleta e gurëve që do të shtrihen është 80 milimetra.

“Po fillojnë punimet në një ndër projektet më të mëdha dhe më interesante faktikisht për kryeqytetin – transformimin e sheshit ‘Xhorxh Bush’. Si pjesë e transformimit të tij është po ashtu edhe pjesa e zonës së sheshit ‘Zahir Pajaziti’, pjesa e Bibliotekës Kombëtare, pra një pjesë e madhe e zonës qendër të kryeqytetit”, tha Rama.

Ai tha se po e bëjnë realitet atë që e kanë premtuar, teksa tha se punimet do të kryhen në tri faza.

“Faza e parë është në pjesën ‘Xhorxh Bush’, e cila pasi do të përfundojë do të hapet. Pastaj do të fillojmë me fazën e dytë te ‘Zahir Pajaziti’ dhe të zona e pjesës së Bibliotekës Kombëtare dhe në fund edhe të zona e rrugës së Garibaldit”, tha kryetari i kryeqytetit.

Sipas tij, arsyeja pse po veprojnë në faza është që të mos i bllokojnë zonat dhe njerëzit të kenë mundësi për qarkullim.

E ky projekt ka hasur në kundërshtim të opozitarëve në kryeqytet, pasi sipas tyre, zbatimi i tij po fillon pa u sqaruar një pjesë e pronës dhe kjo mund të ndikojë që  çështja të shkojë në gjykata dhe të zvarritet si proces.