Në një konferencë për media në Sarajevë, pas takimit me anëtarët e Presidencës trepalëshe, Rutte tha se situata aktuale nuk është sikur më 1992, kur nisi lufta në Bosnje.

Vizita e Ruttes u zhvillua në kohën kur autoritetet e Republikës Sërpska, duke kërcënuar me shkëputje, kanë tentuar të ndalojnë funksionimin e institucioneve shtetërore të drejtësisë dhe policisë në territorin e këtij entiteti.

“Kam dëgjuar shqetësime për situatën e sigurisë. Le të jemi të qartë, kjo situatë nuk është si më 1992 dhe ne nuk do të lejojmë që të krijohet një vakum i sigurisë. Komuniteti ndërkombëtar është këtu dhe është i angazhuar për të vazhduar mbështetjen tonë të fuqishme, përfshirë përmes EUROF-it”, tha Rutte.

Rutte tha se NATO-ja mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës dhe Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, që tha se është thelbi i paqes në Bosnje.

“Retorika nxitëse dhe veprimet janë të rrezikshme. Ato paraqesin një kërcënim të madh për stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës dhe të sigurisë”, tha Rutte.

Ai tha se çdo veprim që e minon Dejtonin, rendin kushtetues dhe institucionet shtetërore, por edhe retorika nxitëse, “janë të papranueshme”.

Rutte tha se këtë situatë duhet ta zgjidhin vetë udhëheqësit e Bosnjës, duke iu drejtuar anëtarëve të Presidencës trepalëshe, teksa theksoi se nga “i gjithë rajoni do të përfitojë nga pajtimi dhe paqja e qëndrueshme në Bosnje”.

Shefi i NATO-s nisi vizitën në Bosnje duke u takuar me anëtarët e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës – Zhelka Cvijanoviq, Denis Beqiroviq dhe Zhelko Komshiq.

Pas këtij takimi, Rutte do të zhvillojë një takim me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Borjana Krishto.

Pasdite pritet që Rutte t’u drejtohet studentëve të Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit të Sarajevës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s po viziton në Bosnjë dhe Hercegovinë pas miratimit të ligjeve antikushtetuese në entitetin Republika Sërpska të Bosnje dhe Hercegovinës.