Organizimi i Kampionatit Evropian të Esports në Kosovë ka qenë temë diskutimi e takimit të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, me sekretarin e përgjithshëm të Federatës Ndërkombëtare të Esports, Boban Totov.
Sipas një komunikate nga MKRS, Çeku ka pritur në takim të martën sekretarin e përgjithshëm të Federatës Ndërkombëtare të Esports.
“Ministri Çeku priti sot në takim sekretarin e përgjithshëm të Federatës Ndërkombëtare të Esports, Boban Totov, i shoqëruar nga kryetari i Federatës së Esports në Kosovë, Altin Preniqi, dhe Besnik Thaçi. Bashkë disktuan për përgatitjet, progresin dhe punët që po bëhen drejt organizimit të Kampionatit Evropian të Esports në Kosovë”, ka theksuar MKRS. “Ngjarja më e madhe e Lojërave Elektronike në Evropë do të mbahet në Prishtinë në korrik të këtij viti. Me 45 shtete pjesëmarrëse dhe me mbi 250 lojtarë, ky kampionat do të sjell në Prishtinë garat e Counter-Strike 2 dhe Dota 2”.