Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, në konferencën e përbashkët, pas takimit që zgjati rreth një orë me shefin e NATO-s, Mark Rutte, tha se Serbia fatkeqësisht vazhdon të minojë përpjekjet për paqe e stabilitet dhe, nëpërmjet veprimeve hibride, grupeve kriminale dhe propagandës së vazhdueshme, e mbështetur edhe nga Rusia, Beogradi po synon të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin.
Sipas saj, dëshmi e qartë për këtë janë edhe sulmet e viteve të fundit në veri e sulmet ndaj trupave të NATO-s në vitin 2023, prandaj, siç i tha ajo shefit të NATO-s, prania e trupave të NATO-s nuk është vetëm një garanci për sigurinë e Kosovës, por edhe një barrierë kundër çfarëdo lloj përpjekjeje për cenimin e paqes dhe stabilitetit.
“Me të drejtë ju dje në Bosnjë e Hercegovinë e thatë se është me rëndësi që ky rajon mos të ketë vakum të sigurisë, sepse, siç ka dëshmuar historia, shpesh herë ato vakume janë keqpërdorur nga faktor malinj, të cilëve nuk iu intereson paqja e siguria, por vetëm kaosi e jostabiliteti. Për këtë qëllim, ne dëshirojmë të thellojmë partneritetin tonë me NATO-n, duke forcuar ushtrinë tonë”, tha, ndër të tjera, Osmani.
Presidentja tha se NATO-ja është themeluar mbi vlerat mbi të cilat qëndron edhe vetë shteti i Kosovës, prandaj edhe synimi strategjik për anëtarësim është edhe domosdoshmëri strategjike për paqen dhe stabilitetin në rajon e gjithë kontinentin evropian.
Osmani: Kosova së shpejti do të fillojë edhe me prodhim të municioneve e dronëve
Osmani e ka njoftuar Rutte-n për arritjen e objektivave të NATO-s për 2 për qind të GDP-së për mbrojtje dhe i tha se në kohë rekorde synojnë ta dyfishojnë këtë përqindje.
Gjithashtu Osmani i tregoi shefit të NATO-s se Kosova së shpejti do të fillojë edhe me prodhim të municioneve e dronëve, duke e pozicionuar, sipas saj, vetën si partner strategjik në fushën e mbrojtjes.
Ajo falënderoi Sekretarin e aleancës më të madhe ushtarake për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës.
“Para pak më shumë se 25 vitesh, shumica prej nesh që na takuat sot e të tjerët që do t’i takoni gjatë ditës, kemi qenë të rinj ose fëmijë, të cilët dolëm t’i presim ushtarët e NATO-s, teksa ata po hynin në Kosovë e priteshin si shpëtimtarët tanë. Ata ushtarë sollën dritë në errësirën e një tragjedie njerëzore që po zhvillohej para syve të botës, prandaj populli i Kosovës do të ketë gjithnjë mirënjohje të thellë për secilin aleat, për secilin ushtar, që erdhën në mbrojtje të një populli që rrezikohej nga politikat e një regjimi gjenocidal. Përgjatë këtyre 25 vjetësh e kemi shndërruar Kosovën në një shembull suksesi dhe një demokraci që angazhohet, jo vetëm për të qenë përfituese e sigurisë, por në të njëjtën kohë edhe kontribuuese e saj. Sot Kosova është e gatshme dhe e aftë për të rritur kontributin për stabilitetin e sigurinë anë e mbanë botës, ashtu siç bota na ndihmoi në momentet më të vështira”, tha Osmani.
Osmani: Është koha që Kosova ta ketë vendin në NATO|VIDEO
(E plotësuar, ora 15:00) Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me sekretarin e përgjithshëm, Mark Rutte, në një konferencë për media, tha se është koha që Kosova ta ketë vendin në NATO.
Gjatë konferencës bashkë me shefin e Aleancës Veriatlantike, presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, tha se është koha që Kosova të ketë vendin e saj në aleancë. “Siç e theksova, stabiliteti i rajonit është shumë i lidhur ngushtë edhe integrimin euroatlantik të vendeve të këtij rajoni. Kosova dhe qytetarët e saj ndajnë vlerat mbi të cilat është ndërtuar NATO-ja. Është koha që Kosova të ketë vendin e saj në aleancë për të kontribuuar si anëtare e përgjegjshme dhe e përkushtuar për stabilitetin dhe sigurinë globale”.
Osmani tha se mungesa e përgjegjësisë për autorët, vetëm sa e ka inkurajuar Serbinë që të vazhdojë me sulme nëpërmjet strukturave të saj paramilitare, prandaj është me rëndësi që të bashkërisht ta fuqizohet prezenca për ta mbrojtur kufirin që të parandalohet si hyrja e grupeve terroriste dhe armatimit të tyre, të cilët kanë për qëllim krijimin e konflikteve në rajonin tonë.
Rutte: KFOR-i po punon për të siguruar një ambient të sigurt
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se nuk mund të parashikohet paqe nëse mbetemi me probleme dhe për këtë kërkohet të punohet së bashku që të kemi paqe afatgjate.
“Është kënaqësi t’ju shoh këtu në Prishtinë sot, në udhëtimin tim të parë si Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s në Ballkan. Jam këtu për të vizituar personelin e KFOR-it, së bashku me përfaqësuesit e përhershëm të Këshillit Veriatlantik të NATO-s dhe partnerëve operacionalë të KFOR-it. Prani e sotme këtu është një demonstrim krejt i qartë i përkushtimit të palëkundur të NATO-s për siguri afatgjate në Kosovë e pastaj për stabilitetin e rajonit. Sapo patëm një diskutim të frytshëm sa përket sigurisë në Kosovë, si dhe në rajon”, tha ai.
Sipas tij, NATO ka mbështetur paqen stabilitetin në Ballkanin Perëndimor tashmë 30 vjet me radhë.
“Përkushtimi ynë shihet edhe sot, i udhëhequr nga KFOR-i, që është misioni më afatgjatë, por edhe më i madh nën lidershipin e shkëlqyeshëm nga gjenerali Enrico Borduano. Trupat tanë të KFOR-it punojnë pa pushim për të siguruar një ambient me rend e me siguri për gjithë popullin dhe të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin e OKB-së për KFOR-in”, tha ai, duke shtuar se përveç kësaj, ekipet e ndërlidhjes së KFOR-it vazhdojnë t’i mbështesin institucionet tjera të sigurisë më zhvillim kapacitetesh edukim e trajnim e kështu me radhë.
“Një rajon më i sigurt i Ballkanit Perëndimor nënkupton më shumë siguri për gjithë zonën e NATO-s. Duhet ta kemi të qartë se çka kemi para nesh. Dekadat e zgjatura të ndërtimit të paqes nuk mund të lihen anash. Jemi plotësisht gati për t’ju përgjigjur çfarëdo lloj zhvillimi të sigurisë dhe, në këtë kuptim, shpresojmë të shohim një bashkëpunim edhe më të thellë midis institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it. Kjo është shumë me rëndësi për ne”, tha Rutte.
Sipas tij, NATO do të vazhdojë të luaj rolin e vet në mandatin e vet për sigurinë e të gjithëve e këtë e bëjmë në bashkërendim të afërt me Policinë e Kosovës, me EULEX-in, si dhe rolet tona përkatëse si reaguese për sigurinë.
“Kur e themi këtë, stabiliteti në rajon varet nga të gjitha palët, që të zgjedhim diplomacinë para dhunës. Zgjidhja për një paqe afatgjate është politike. Në këtë drejtim, NATO-ja do të vazhdojë të mbështesë plotësisht normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës e Beogradit, të udhëhequr nga BE. Kjo është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura, për të siguruar të ardhme më stabile, duke siguruar të drejtat e të gjitha komuniteteve, që të respektohen dhe të mbrohen ato”, tha ai.
Shefi i NATO-s foli edhe për dialogun.”Për ta shtyrë përpara këtë dialog, të dyja palët duhet të shfaqin fleksibilitet, të bëhen kompromise të duhura dhe të fokusohen në dobi afatgjate. E kuptoj plotësisht se kjo kërkon vendime të vështira, por që duhet të shohim atë pamje më të gjerë sigurimi, si dhe stabilitet më të madh, më shumë mundësi investimi dhe pastaj stabilitet më afatgjatë për të gjithë rajonin, pra në dobi të të gjithëve. Ky është mesazhi që unë vazhdoj të theksoj para të gjitha palëve që i takoj në rajon”, tha ai.
Rutte në fund falënderoi presidenten Osmani për mikpritjen dhe për këmbimin e qëndrimeve, sipas tij, shumë të frytshme.