Sipas BDI-së, deklarata e fundit e kryeministrit Mickoski, ku pretendon se BDI nuk kujdeset për çështjet e gjuhës shqipe dhe të drejtave të shqiptarëve, por vetëm për mbrojtjen nga krimet e supozuara, është një tjetër akt i ulët i një kryeministri që ka helmuar dhe polarizuar skenën politike dhe etnike deri në atë pikë sa po e bën vendin jofunksional.

BDI, përmes një komunikate bën të ditur se këto akuza vijnë nga partia që ka kërkuar zyrtarisht anulimin e ‘Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në Gjykatën Kushtetuese’.

“Partia që kundërshton vetingun ndërkombëtar të politikanëve dhe funksionarëve shtetërorë. Partia që është kapur nga oligarkët e privatizimit kriminal dhe me çdo kusht refuzon rihapjen e këtij procesi korruptiv. Partia që po kap shtetin duke shkatërruar pavarësinë e gjyqësorit dhe institucioneve mbikëqyrëse, duke shkelur parimet e sundimit të ligjit dhe duke tentuar të zhbëjë mekanizmat e Marrëveshjes së Ohrit”, thuhet në komunikatë.

Nga ana e saj, BDI deklaron se është partia që ka integruar një popull të tërë të përjashtuar nga sistemi, që e ka bërë vendin anëtar të NATO-s dhe që ka ndërtuar një demokraci funksionale multietnike.

“Dhe pikërisht kjo është ajo që i frikëson këta politikanë: një demokraci multietnike evropiane, sepse ata duan mungesë monitorimi nga Evropa, duan që nacionalizmi dhe urrejtja etnike të dominojnë diskursin publik – si një mjedis perfekt për të kapur shtetin dhe për të vjedhur paratë e qytetarëve”, thuhet në komunikatë.

Tutje, BDI deklaron se nuk do të lejojë që e ardhmja evropiane e vendit të sakrifikohet nga interesa të errëta dhe manipulime politike të atyre që duan ta kthejnë vendin prapa në kohërat e përçarjeve dhe pasigurisë.