Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Gjilan, ka kërkuar përfundimin e shpejtë të hetimeve pas thyerjes së derës së zyrës pë buxhet që thonë se edhe e detyroi drejtoreshën e këtij dikasteri të dorëhiqej.
“Ky skandal ka detyruar të ‘dorëhiqet’ drejtoreshën e këtij dikasteri, e cila e faktoi atë që LDK e ka alarmuar në vazhdimësi: VV edhe zyrtarisht e bëri Gjilanin si shitore të thyer. Hetimet urojmë që ta zbardhin këtë skandal të paprecedentë në komunën tonë”, thuhet në reagimin e kryetarit të degës së LDK-së, Lutfi Haziri.
Haziri, tutje thotë se, duhet të ketë hetime edhe për moszbatim të projekteve sipas detyrës zyrtare, pasi, sipas tij, disa projekte që kanë nisur më 18 janar janë pa leje të punës për shkak të problemeve me pronat e mos zbatimit të hartës zonale sipas Planit Zhvillimor Komunal, çka e ka quajtur si krim urban.
“Po ashtu, kujdesi ndaj nepotizmit dhe lidhjeve të ngushta në punësim po vazhdon të jetë logjikë pune e VV-së në Gjilan. Kjo mendësi e qeverisjes në Gjilan është e paprecedentë, sepse qytetarët tashmë e dinë se për t’u punësuar në institucionet komunale duhet të jesh patjetër kunatë, baxhanak, balldëskë, dajë ose nip i të parit të ekzekutivit”, thuhet në reagim.
Sipas, Hazirit që drejton LDK-në në këtë komunë, punësimi i nipit të të parit të ekzekutivit në Njësinë e Zjarrfikjes, tregon qartë se si “komuna u shndërrua në një çiflig”.
“Shkelja tjetër e madhe që po ndodh në institucionet komunale në Gjilan është se punonjësve me kontrata mbi vepër të cilët janë punësuar në mënyrë të kundërligjshme, u është dhënë akses në asetet publike. Përpos si shkelje e rëndë e ligjit, tashmë janë plotësuar kushtet që të ballafaqohen me problemet penale, sepse shifrat e shpenzimeve publike janë marramendëse”, ka thënë ai.