Lideri i Iniciativës së Re Demokratike të Kosovës, Elbert Krasniqi, që ka siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës nga rezultati i zgjedhjeve, duke fituar 3mijë e 123 vota, tha se qëllimi i tyre ishte që ta kthenin deputetin e dytë, por pavarësisht rritjes, nuk ishte e mjaftueshme për ta arritur këtë.
“Mbështetja ishte shumë e madhe kësaj radhe, por jo edhe e mjaftueshme që të dy deputetët të jenë nga IRDK. Megjithatë, e rëndësishme që falë rritjes sonë, deputeti i dytë i takon komunitetit egjiptian, andaj faleminderit për punën e palodhshme shtabit zgjedhor, kandidatëve, aktivistëve dhe gjithë kryesisë”, shkroi ai.
Tha se po presin të konstituohen organet shtetërore, në mënyrë që IRDK-ja të jap kontributin e saj në shtet dhe në komunitet.
Ditë më parë, Krasniqi që është ministër në qeverinë aktuale, u deklarua se do të jetë pjesë e një koalicioni, vetëm aty ku do të jetë kryeministër, Albin Kurti.