Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar duke shprehur indinjatën dhe revoltën e saj të thellë siç thonë ndaj vendimit të padrejtë, jo human dhe të papranueshëm të Gjykatës Speciale, e cila sipas kësaj organizate, ka refuzuar lirimin e bashkëluftëtarit të tyre, ish-presidentit, Hashim Thaçi që të marrë pjesë në ceremoninë mortore dhe të japë lamtumirën e fundit babait të tij.

Gjykata Speciale në Hagë nuk ka lejuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tij.Nga OVL e UÇK-së thonë se ky vendim nuk është vetëm një shkelje flagrante e të drejtave themelore të njeriut, por edhe një akt që bie ndesh me vlerat universale të humanizmit dhe drejtësisë.

“Të ndalosh një bir që t’i japë nderimin e fundit babait të tij, është një akt i dhimbshëm që cenon dinjitetin dhe ndjenjat më të thella njerëzore”, thuhet në reagim.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka konsideruar këtë veprim si një akt të qëllimshëm dhe dashakeq  të Gjykatës Speciale, që siç thonë ata synon të poshtërojë dhe të degradojë jo vetëm Hashim Thaçin dhe familjen e tij, por të gjithë ish luftëtarët dhe vlerat për të cilat ata luftuan, në shenjë hakmarrje për mungesën e provave për inkriminimin dhe dënimin e drejtuesve të UÇK-së.

OVL e UÇK-së bënë thirrje institucioneve ndërkombëtare, organizatave të drejtave të njeriut, institucioneve dhe faktorit politik të Kosovës dhe Shqipërisë që të reagojnë fuqishëm ndaj kësaj shkeljeje të të drejtave themelore dhe të marrin masa që raste të tilla të mos përsëriten, sepse të drejtat themelore nuk duhet të jenë objekt i abuzimit apo i hakmarrjeve.

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po ashtu deklaron se nuk do ta toleroj  heshtjen e institucioneve të Republikës së Kosovës ndaj shkeljeve, abuzimeve dhe trajtimit përçmues që po iu bëhet bashkëluftëtareve tanë nga Gjykata Speciale në Hagë!