Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist ka zhvilluar aksion me grafitë në Skenderaj pas rastit të përdhunimit të një gruaje me aftësi të kufizuara në këtë qytet. Thonë se ky ishte solidarizim e pozicionim politik.
“Të tronditur nga shtrirja e dhunës patriarkale që lëshohet mbi trupat e vajzave dhe grave, ne lamë parulla mureve të Skenderajt si akte solidarizimi e pozicionimi politik”.
Siç kanë thënë, çlirimi i të gjitha vajzave dhe grave është çështje feministe.
‘Për ne është vitale që t’i kundërvihen aktivisht hierarkizimit të njerëzve që i kornizon disa subjekte si të vlefshme, teksa tjetërson të tjera që nuk shihen “normale” apo “të afta”, e për rrjedhojë subjekte të dinjitetshme që meritojnë artikulim politik. Gjithashtu, për ne, çlirimi i të gjitha vajzave dhe grave është çështje feministe. Kjo në projektin tonë përkthehet vetëm atëherë kur të fundit në hierarki e vendosim të parën dhe në ballë të përpjekjes tonë”, thuhet në këtë reagim.