Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në Ambasadën e Maqedonisë së Veriut shkroi në librin e ngushëllimeve, dedikuar viktimave të tragjedisë në Koçan.
Shefi qeveritar e ka quajtur këtë tragjedi nga ato të rëndat, kur sipas tij, as fjalët nuk shprehin përmasat e dhimbjes.
Ai u ka shprehur ngushëllime familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre, popullit dhe institucioneve maqedonase.
“Tragjedia në Koçan të Maqedonisë së Veriut është nga ato ngjarje të rënda kur ne ndjejmë se fjalët nuk shprehin dot përmasat e dhembjes dhe pikëllimit. Në emër të qytetarëve dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës shpreh ngushëllimet e mia të thella e të sinqerta për familjarët që i kanë humbur më të dashurit e tyre dhe për qytetarët dhe institucionet e Maqedonisë së Veriut”, janë fjalët të cilat kryeqeveritari kosovar la si shënim në këtë libër të ngushëllimeve.
16 marsi u shndërrua në ditë tragjike për Maqedoninë e Veriut, pasi në orët e para të asaj dite një zjarr që kaploi një nga diskotekat e këtij vendi, la të vdekur 59 të rinj e mbi 150 të tjerë të lënduar.