Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nuk gjeti bazë për anulimin e votave të mërgatës, siç kërkoi Vetëvendosja, që e akuzonte LDK-në për manipulim.
LDK-ja thotë se mirëpret vendimin PZAP-së i cili sipas saj, konfirmon se përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje për të manipuluar dhe delegjitimuar procesin zgjedhor ishin të pabazuara dhe shpërfaqin mosgatishmërinë e tyre për të pranuar vullnetin e mërgatës.
Sipas kësaj partie, ky akt e dëshmon se pretendimet e tyre ishin thjesht një përpjekje për të mbrojtur organizimin e vetëm partiak të manipulimit të votës së mërgatës të dokumentuar me video.
“Lidhja Demokratike e Kosovës dënon ashpër fushatën e organizuar të shpifjeve dhe dezinformatave të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka për qëllim të komprometojë procesin zgjedhor dhe të delegjitimojë rezultatet që nuk i përshtaten interesave të saj”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Kjo parti thotë se nuk do të tolerojë që “Vetëvendosje të vazhdojë të përdorë shpifjet dhe manipulimet për të përmbysur vullnetin e qytetarëve dhe për të krijuar një realitet të rremë zgjedhor”.
Të gjithë ata që përhapin dezinformata me qëllim të cenimit të integritetit të zgjedhjeve dhe të institucioneve të pavarura do të mbajnë përgjegjësi ligjore. LDK do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të paditur për shpifje të gjithë ata që përpiqen të ndikojnë në mënyrë të paligjshme dhe antidemokratike në rezultatet zgjedhore”.
“Përpjekjet e Vetëvendosjes për të uzurpuar procesin zgjedhor me manipulime, shpifje dhe dezifnormata do të sfidohen me vendosmëri. Demokracia nuk mund të jetë peng i një partie që nuk e pranon vullnetin e lirë të qytetarëve. Mbi të gjitha, LDK falënderon mërgatën për besimin dhe përkrahjen e pakontestueshme gjithnjë e në rritje”, thuhet pos tjerash në reagimin e kësaj partie.